Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar parregullsi financiare, furnizime pa zbatim të procedurave ligjore dhe mungesë dokumentacioni për licencat në pesë kompani të lojërave të fatit, ku Lotaria Shtetërore zotëron 51 për qind të aksioneve. Auditimi për vitin 2024 ka evidentuar mospërputhje në kontributet financiare, mangësi në shpenzimin e mjeteve dhe kontrata afatgjata deri në 15 vjet për blerjen e softuerëve, platformave online dhe shërbimeve teknike. Sipas revizionit, në disa kompani kontributet e dakorduara arrinin në mbi 2,1 milionë euro, por dokumentacioni për shumat dhe afatet e pagesës ishte i papërputhshëm. Te kompania “Lotaria Shtetërore – Vezuv”, deri në kohën e auditimit ishin paguar vetëm rreth 146 mijë euro nga shuma e paraparë. Parregullsi janë konstatuar edhe në shpenzimet e marketingut, qiratë dhe huatë ndaj kompanive të lidhura, ndërsa për disa shpenzime mungonte dokumentacioni i plotë. Revizorët kanë ngritur shqetësime edhe për aktivitetin e lojërave online pa u paraqitur licencat përkatëse. Po ashtu, është konstatuar mungesë e kontrolleve të mjaftueshme dhe e sistemit mbikëqyrës për pagesat dhe të ardhurat nga lojërat elektronike të fatit. Për shkak të parregullsive, Enti Shtetëror i Revizionit ka dhënë vlerësim negativ për raportet financiare dhe ligjshmërinë e punës së kompanive të audituara, duke rekomanduar masa për eliminimin e mangësive.
Maqedoni Skandal në Lotarinë Shtetërore: Auditimi zbulon parregullsi financiare dhe mungesë licencash





