SKANDAL: Kandidati i Levicës në Shutkë tallet me namazin dhe ezanin, reagon BFI (Video)

Një skandal i paparë ka ndodhur dje para objektit të Qeverisë në Shkup. Bëhet fjalë për një organizim për falje të namazit me sexhade nga dhjetëra persona të përkatësisë etnike rome, në krye me kandidatin për kryetar të Shutkës nga radhët e Levicës, Tefik Mahmut.

Levica është një nga organizatat më populiste dhe antiestablishmente në vendin tonë ndërsa me moton “Gaz për pushtet” ata garojnë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Nëse Levica në zgjedhjet e kaluara kërkonte vota për uljen e zërit të ezanit në minaret e xhamive në Maqedoni, tani ata tallen edhe me namazin, shkruan Zhurnal.

Ata po bëjnë çmos, madje edhe tallen me ritet fetare vetëm e vetëm për të arritur në kolltuqet qeveritare e për të përfituar ndonjë pikë politike.

Kështu, kandidati për kryetar komune nga radhët e Levicës, Tefik Mahmut, dje ka organizuar dhe ka manifestuar namaz të hapur, para Qeverisë së RMV-së, me qëllim për të përfituar disa pikë politike më tepër

Kësi lloj keqpërdorimi për pikë politike nuk është parë vetëm tek ne por ka ndodhur edhe më herët në vende të ndryshme, madje edhe në Turqi.

Por, ndaj këtij skandali nuk ka qëndruar duarkryq as Bashkësia Fetare Islame.

BFI ka dënuar ashpër keqpërdorimin e ezanit dhe namazit për qëllime politike dhe shpresojnë që në të ardhmen nuk do të ndodhin raste të tilla.

“Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ashpër dënon keqpërdorimin e ezanit dhe namazit për qëllime politike.
Dje para Qeverisë ishim dëshmitarë të një mitingu politik, ku u keqpërdorën ritet fetaro islame –tallje me ezanin dhe namazin për përfitime politike.
Mbetemi në shpresë se veprime të tilla primitive – duke keqpërdorë fenë, nuk do të përsëriten në të ardhmen”, reagojnë nga BFI.

Përndryshe Levica është e njohur për manifestime dhe organizime të ndryshme provokuese veçanërisht ndaj shqiptarëve dhe muslimanëve. Ata gjithmonë kanë qenë kundër dygjuhësisë, kundër islamit, kundër shqiptarëve e kështu edhe do të vazhdojnë të veprojnë.

Ngelet të shohim nëse organet kompetente do të ngritin procedurë për gjuhë të urrejtjes dhe për keqpërdorim të riteve fetare për qëllime politike ndaj Levicës.//Zhurnal.mk