Goditje krimit dhe korrupsionit! Gjashtë institucione bashkojnë forcat, BE-ja financon sistemin e ri të kontrollit

Gjashtë institucione shtetërore në Maqedoninë e Veriut kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Prokuroria Publike, MPB-ja, Doganat, Policia Financiare, Inteligjenca Financiare dhe Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar do të ndërlidhen përmes sistemit digjital LERMS, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian.

Platforma do të mundësojë shkëmbim të sigurt të informacioneve dhe ndjekje të rasteve penale, nga hetimet fillestare deri te vendimet gjyqësore dhe konfiskimi i pasurisë.

Prokurori i Shtetit, Nenad Saveski, theksoi se krimi nuk njeh kufij dhe institucionet nuk mund të mbeten peng i burokracisë, ndërsa drejtori i Policisë Financiare, Slobodan Ivanovski, vlerësoi se sistemi do të përshpejtojë procedurat dhe do të ulë kostot.

Përfaqësuesja e BE-së, Roberta Corteze, porositi se suksesi në luftën kundër korrupsionit nuk matet me ligje dhe strategji, por me rezultate konkrete, hetime efektive dhe konfiskim të pasurisë së përfituar nga krimi.