S’ka rast që politikanët mashtrues e hajdut ta kenë forcuar shtetin dhe ta kenë bërë krenarë popullin!

Shkruan: Kim Mehmeti

Kur më thonë se BDI-ja është bërë parti e “gjelbër” dhe se drejtuesit e saj enveristë e leninistë janë bërë ekologë, më vjen si me dëgjuar se talebanët afgan janë bërë rojtar të plazheve nudiste.

Ta thotë këtë Kryeministri i Shqipërisë, që karrierën e vet politike e ka nisur duke e rrezitur prapanicën cullake, nuk do habitesha fare. Por kur bëhet fjalë për ‘ambientalistë’ e sotëm të BDI-së, që çdo gjë e arritën duke u thirrur në gjakun e rinisë shqiptare, që fijoi veten në konfliktin e 2001, nuk mund të mos ndjej të vjella.

Por duhet pranuar një gjë: ne kemi përfaqësues të përshtatshëm për çdo sistem e për të gjithë kohët sepse kurrë nuk e lexuam drejtë kalendarin politik në të cilin jetojmë. Siç duhet pranuar të vërtetën se për atë që na ndodhë, nuk janë fajtorë vetëm burrështetasit tanë që politikën e konsiderojnë si diçka që t’i lejon të gjitha dhe që është e kundërt e moralit, ndershmërisë dhe dinjitetit, por edhe shumica nga ne që duam ‘baba’ politikë atë të cilit mund t’ia vizatosh portretin, po nuk mund t’ia përcaktosh fizionominë!

Tani diçka për ata që më pyesin se mbi çka i mbështes bindjet se Maqedonia kurrë nuk do konsolidohet si shtet dhe se, ne shqiptarët e këtushëm, edhe gjatë kohë do mbetemi një turmë që nuk zgjedh atë që i thotë truri, por atë që ia do xhepi dhe interesi personal? Argument të vetëm kam të vërtetën se politikani pasurohet kur i shet, e jo kur i mbron interesat e vendit dhe të popullit si dhe, të vërtetën se nuk di rast që politikanë mashtrues e hajdutë ta kenë forcuar shtetin dhe ta kenë bërë krenar popullin që përfaqësojnë. (Kim Mehmeti)