S’ka hapësirë në Çair për Qendër Sportive! FC Shkupi po planifikon ta ndërtojë në Saraj

Në mungesë të një Qendre Sportive në Çair, gjeneratat e reja të FC Shkupit janë të detyruar që të stërviten nëpër Salla të shkollave, apo stadiume të vogla ku bari është artificial.

Drejtori sportiv i FC Shkupit Omer Bunjaku thotë se kryesia e klubit ka një ide për të ndërtuar një qendër sportive. Për shkak se në territorin e komunës së Çairit nuk ka vend, ky projekt po planifikohet të ndërtohet në Saraj.

“Kemi marrë një iniciative se bashku në Komunën e Sarajit ku po shpresojmë që të nisim shumë shpejt që ta marrim atë vend dhe të kemi një bazë. Shkupi nuk është vetëm i Çairit, është i gjithë qytetit Shkupit, edhe Saraji me Çairin është 5 min larg përmes autostradës. Nuk është larg. Po thoni që FC Shkupi do të ndërtojë një qendër sportive në Saraj? Po përpiqemi që ta ndërtojmë, me ndihmën e Visar Ganiu me ndihmën e Qeverisë që ta marrim atë vend ku ne mund ta ndërtojmë bazën tonë“, tha Omer Bunjaku, drejtor sportiv i FC Shkupit.

Se nuk mundet një qendër e tillë të ndërtohet në territorin e Çairit e thotë edhe kryetari Ganiu.

“Ju e dini të gjithë që territori i Çairit ka qëlluar 3.4 km 2 dhe po të duam një akademi të tillë ne brenda territorit tonë nuk mundemi ta sigurojmë”, deklaroi Visar Ganiu.

Por a do ta përkrah një ide të tillë komuna e Sarajit, TV 21 po pret pergjgije nga kryetari i kësaj Komune Blerim Bexhetin.

Ndryshe për shkak kushteve jo të volitshme shumica e futbollistëve të ri, sapo t’i marrin hapat e parë kërkojnë menjëherë transferimin jashtë Maqedonisë.