Si mund të rreshtohet Manchester United në vitin 2024, pasi Ten Hag konfirmoi “pesë blerje të reja”?

Viti 2024 mund të sjellë disa dhurata për Manchester United, pasi kriza e tmerrshme e lëndimeve të klubit duket se po vjen drejt fundit.

Erik Ten Hag së fundmi zbuloi se lojtarët e lënduar si Lisandro Martinez, Casemiro, Harry Maguire, Tyrell Malacia dhe Mason Mount, që të gjithë pritet të rikthehen së shpejti.

“Mendoj se jemi shumë optimist. Kur lojtarët do të rikthehen dhe kur fati do të jetë paksa në anën tonë sa i përket lëndimeve, atëherë ne do të kemi pesë ose gjashtë blerje të reja në janar”, ka thënë Ten Hag.

Duke u bazuar në komentet e teknikut holandez, “Djajtë e Kuq” me shumë mundësi do ta kenë ekipin e plotë në muajin janar, me gjasë para përballjes me Tottenhamin.

Sidoqoftë, United me shumë mundësi nuk do të jenë në gjendje të llogarisin në shërbimet e Andre Onanas dhe Sofyan Amrabat përgjatë tërë muajit janar, për shkak të pjesëmarrjes së tyre në Kupën e Kombeve të Afrikës.

Ja se si mund të duket formacioni i Man United në janar, me rikthimin e lojtarëve nga lëndimi:

Formacioni i mundshëm i Man United në janar të vitit 2024: Bayindir, Wan-Bissaka, Maguire, Martinez, Reguilon, Casemiro, Mount, Fernandes, Garnacho, Rashford, Hojlund.