Arsenal kërkon transferimin e Toney në janar, por nuk do të jetë e lehtë

Arsenal mbeten të vendosur për të nënshkruar me Ivan Toney nga Brentfordi gjatë afatit kalimtar të janarit, por do të duhet të përballen me disa pengesa gjatë rrugës, për ta bërë të mundshme marrëveshjen.

“Topçinjtë” e kanë përcjellur Toneyn tash e një kohë, por janë detyruar të presin deri në janar për të nënshkruar me të për shkak te dënimit prej tetë muajsh që iu dha në muajin maj, për thyerje të rregullave për baste.

Klubi londinez janë të gatshëm të bëjnë një lëvizje për reprezentuesin anglez, por do të duhet të paguajnë rreth 80 milionë euro për të bindur Brentfordin që ta shesë yllin e tyre.

Arsenali raportohej se ishin afër për të arritur limitin financiar gjatë afatit kalimtar veror, diçka që ua vështirëson punët për të bërë blerje në janar.

Toney, i cili ka shënuar 32 gola në 66 ndeshje në Ligën Premier për Brentfordin, nuk është sulmuesi i vetëm në axhendën e londinezëve.

Një tjetër alternativë do të jetë Victor Osimhen i cili do të jetë edhe më i shtrenjtë se Toney, sidoqoftë ai pak kohë më parë kishte nënshkruar kontratë të re me Napolin deri në vitin 2026.

Mikel Arteta dëshiron që të përforcojë ekipin në disa pozita, në përpjekje për të fituar titullin e Ligës Premier.

Spanjolli po kërkon një mesfushor të ri, dy mbrojtës krahu si dhe një sulmues, por prioritet i ka dhënë pikërisht sulmit për shkak të vështirësive përballë portës.