Shumica kanë krizë ekonomike, por qytetarët pa nënshtetësi nuk kanë as edhe sigurim shëndetësor

Arben Taravari

Ne jemi për solidaritet të sinqertë, jo Qeveria. Ata mundohen të na akuzojnë se po pengojmë përfitimet e qytetarëve nga pakoja e pestë. Jo, ne kërkojmë që të solidarizohemi me ata dhjetëra mijëra bashkëqytetarët tanë që për dekada kanë jetuar pa shtetësi. Le t’i marrin një herë edhe ata nënshtetësitë, pastaj edhe ata le të përfitojnë nga pakoja e pestë e mbështetjes ekonomike. Qeveria dëshiron solidarizim selektiv, që kush ka shtetësi të përfitojë mbështetje ekonomike, duke përjashtuar gjithë ata pa shtetësi. Ne duam që të gjithë ne, dy milion qytetarët e vendit, të solidarizohemi me ata që janë diskriminuar për dekada dhe pastaj të gjithë bashkë të përfitojnë nga pakoja e pestë. Vërtetë dikush ka më pak të ardhura, por edhe krizë ekonomike nga pasojat e pandemisë dhe keqmenaxhimit të saj, por mos harrojmë se dikush nuk ka as sigurim shëndetësor si pasojë e diskriminimit dhe mungesës së nënshtetësisë. Këta për të cilët luftojmë ne nuk kanë as para, as të drejtë për t’u shëruar dhe nëse infektohen nga virusi duhet të paguajnë mijëra euro për t’u shëruar. Ky është solidarizim i drejtë dhe sinqertë!