Shtetet evropiane pothuajse dyfishuan importet e armëve, rriten eksportet e SHBA-së – bien në sy numrat e Francës dhe Rusisë

Shtetet evropiane importuan pothuajse dyfishin e sasisë së armëve në 2019-2023 krahasuar me 2014-2018.

Kështu ka bërë të ditur një institut, pasi Ukraina u shfaq si importuesi më i madh evropian i armëve pas pushtimit nga Rusia në vitin 2022, shkruajnë mediat e huaja.

Importet evropiane u rritën me 94% midis 2019 dhe 2023 krahasuar me 2014-2018, tha në një deklaratë Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI).

Ukraina ishte importuesi i katërt më i madh në botë nga viti 2019 deri në vitin 2023, pasi të paktën 30 shtete ofruan ndihmë ushtarake për Ukrainën nga shkurti 2022.

Në anën tjetër, SHBA rriti eksportet e armëve me 17% nga viti 2019 deri në vitin 2023, krahasuar me 2014 në 2018, ndërsa eksportet e armëve të Rusisë u përgjysmuan.

“SHBA-ja ka rritur rolin e saj global si furnizues armësh – një aspekt i rëndësishëm i politikës së saj të jashtme – duke eksportuar më shumë armë në më shumë vende sesa ka bërë ndonjëherë në të kaluarën”, citohet të ketë thënë SIPRI në deklaratë.

Ndërsa eksportet e armëve të Rusisë ranë me 53% midis 2019-2023 krahasuar me 2014-2018. Rënia u intensifikua gjatë periudhës dhe ishte 52% më e ulët në 2023 se në 2022.

“Vëllimi i ulët i dërgesave në pritje të armëve të mëdha nga Rusia sugjeron që eksportet ruse të armëve ka të ngjarë të mbeten shumë nën nivelin e arritur në 2014-2018, të paktën për një afat të shkurtër”, vlerëson SIPRI.

Vëllimi global i transfertave të armëve kryesore ndërkombëtare, të cilat përfshijnë aeroplanë, anije luftarake të mëdha, artileri, raketa tokë-ajër dhe tanke, ra paksa me 3.3% midis 2014-2018 dhe 2019-2023.

Rënia e eksporteve të Rusisë bëri që Franca t’i kalojë ato si eksportuesi i dytë më i madh i armëve në botë pas SHBA-së për herë të parë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1950.