Shqiptarët në Maqedoni autokton dhe pjesë e pandarë e trungut të kombit

Shkruan: Dr. Ramiz Abdyli

Territori i sotëm i Maqedonisë që nga lashtësitë banohej nga disa fise ilire, dy prej të cilëve, Paionët dhe Dardanët ia dolën të ngrenë formacionet e tyre shtetërore, nga shek IV p.e.s. Shteti Paion njohu një shtrirje në Maqedoninë e sotme qendrore e lindore, në Bullgarinë Perëndimore, si dhe në Greqinë Veriore. Shteti Dardan përfshinte pjesën veriperëndimore të Maqedonisë, Kosovën, Serbinë Jugore, pjesë të Sanxhakut dhe të Shqipërisë Verilindore, me Shkupin kryeqytet. Këto shtete pas dy shekujve ranë nën pushtimin romak. Ilirët e Maqedonisë, bashkë me ilirët e tjerë të jugut, përballuan me sukses “sundimin romak, si dhe dyndjen e madhe të popujve barbarë” dhe dolën në mesjetë si një element kompakt dhe i qëndrueshëm, rrjedhimisht si një popull më vete, i njohur me emrin arbër. Ata, sikurse pjesët e tjera të Arbërisë njohën për një kohë zhvillim shoqëror politik, por ky zhvillim u ndërpre nga pushtimi mesjetar serb, që mori përmasa të dhunës kolektive, me të cilën synohej konvertimi dhe asimilimi i tyre. Kjo formë e dhunës kulmoi gjatë sundimit të Stevan Dushanit (1331-55), që studiuesja e njohur skoceze, Edith Durham, e ka vlerësuar si ”persekutim fetar e kombëtar”. Pas rënies së Perandorisë së Dushanit, njq pjesë e Maqedonisë së sotme perëndimore të Maqedonisë ishte në përbërje të principatave shqiptare, ndërsa pjesa tjetër mbeti nën sundimin e despotëve serbë. Dokumentet e asaj periudhe kanë provuar praninë e dukshme të shqiptarëve edhe në krahinat e tjera të Maqedonisë, sidomos në pjesën veriore të saj,më me Luginën e Preshevës. Nga burimet e proveniencave të ndryshme, argumentohet se shqiptarët e këtyre trevave në shekujt në vijim, përbënin shumicën e popullisë. Ata qenë ndër të parët, që u përballën me invazionin osman dhe u shquan sidomos në periudhën e luftës heroike të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, nën udhëheqjen e të cilit u zhvilluan disa beteja, që nga Shkupi deri në Ohër. Kjo periudhë e ndritshme e historisë sonë përbënte një shtysë të fuqishme edhe për shqiptarët e Maqedonisë e të Luginës së Preshevës në kryengritjet kundërosmane përgjatë shekujve në vijim. Me këtë rast ia vlen të vihet në dukje kryengritja antiosmane e vitit 1689. Atëherë mijëra kryengritës, nën udhëheqjen e kryeipeshkvit të Shkupit, Pjetër Bogdanit, iu bashkuan ushtrisë austriake, që depërtoi në këto treva. Ky klerik e atdhetar i devotshëm në dokumentet austriake cilësohej si “kryeipshkëv i Shqipërisë”, se “Shkupi e Peja ishin në Shqipëri” dhe se Prizreni ishte “kryeqytet i Shqipërisë”. Perandori austriak, Leopoldi I e vlerësoi përkushtimin e shqiptarëve për çlirim kombëtar dhe që atëherë kishte fillin interesimi i shtetit austriak për çështjen shqiptare. Shqiptarët e këtyre trevave shënuan një faqe të ndritur të historisë së tyre gjatë Rilindjes sonë Kombëtare. Në fazën e parë të saj, u organizua kryengritja e viteve 1843-1844 me Dervish Carën në krye. Pas çlirimit të trevave lindore, nga Kërçova deri në Vrajë e Leskoc, drejtuesi i kësaj kryengritje shtroi kërkesën për autonominë e Shqipërisë, ashtu siç iu njoh kjo e drejtë Serbisë. Shqiptarët e Maqedonisë luajtën rol të rëndësishëm në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, kur kundërshtuan me forcën e armëve vendimet për copëtimin e tokave nga Kongresi i Berlinit dhe luftuan për krijimin e shtetit autonom shqiptar. Në ato ngjarje të vrullshme u shquan një varg figurash edhe nga Maqedonia,e Lugina e Preshevës, si Iljaz Pashë Dibra, Hasan bej Deralla, Jashar bej Shkupi etj. Shqiptarët e Maqedonisë u shquan edhe në Lidhjen e Pejës, kur Shkupi u përfshi në kryengritjen pothuaj njëvjeçare kundërosmane.Shqiptarët e Maqedonisë kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në Kryengritjen e Ilindenit, të vitit 1903, kur ata ishin element përbërës i Republikës së Krushevës. Ata,bashkë me shëiptarët tjerë të rajonit kontribuuan edhe për ngadhënjimin e Revolucionit Xhonturk, më 23 korrik 1908. Më pas ata luajtën rol të rëndësishëm në organizimin dhe në mbarëvajtjen e Kongresit të Alfabetit në Manastir. Po kështu shqiptarët e Maqedonisë e të Luginës së Preshevës, luftuan me sukses në kryengritjet antiosmane të viteve 1909-1912. Në kryengritjen e Përgjithshme Antiosmane të vitit 1912 ata çliruan njërin pas tjetrit qytetet shqiptare nga Bujanoci,Presheva e Kumanova deri në Strugë dhe në Shkup e ngritën flamurin kombëtar,dy muaj para se ai të ngritej në Vlorë. Kjo kryengritje rezultoi me marrëveshjen shqiptaro-osmane të 18 gushtit të atij viti, me të cilën Porta e Lartë u njohu shqiptarëve disa të drejta kombëtare. Pikërisht këtu qëndronte arsyeja që Serbia dhe shtetet e Aleancës Ballkanike i shpallën luftë Perandorisë Osmane për të parandaluar projektin e krijimit të shtetit autonom shqiptar. Në ato çaste kritike për kombin u shpall pavarësia e Shqipërisë, që e mbështeti fuqishëm Austro-Hungaria e më vonë edhe Fuqitë e tjera të Mëdha, por jashtë kufijve të shtetit shqiptar, mbetën më shumë se gjysma e trojeve shqiptare, përfshirë edhe ato të Maqedonisë së sotme dhe Luginës së Preshevës. Kundër dhunës shtetërore serbe në tokat e pushtuara shqiptare, shpërtheu kryengritja antiserbe e shtatorit të 1913-s, që rezultoi me çlirimin e Dibrës, Kërçovës, Strugës dhe Ohrit. Pas çlirimit të këtyre qyteteve ata mësynë edhe Manastirin e Shkupin. Isa Boletini, njëri nga drejtuesit kryesorë të kësaj kryengritjeje, planifikonte që pas çlirimit të trojeve të tjera të pushtuara, në Shkupin e çliruar të zhvilloheshin bisedimet shqiptaro-serbe, sipas shembullit të marrëveshjes shqiptaro-osmane, që u lidh një vit më parë në këtë qytet. Shqiptarët e Maqedonisë, bashkë me ata të Luginës së Preshevës, vazhduan luftën për çlirim e bashkim kombëtar, si dhe kundërshtuan shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi dhe kolonizimin e trojeve të tyre. Në Luftën e Dytë Botërore tokat shqiptare të Maqedonisë e të Luginës së Preshëvës u pjesëtuan nga shtetet fashiste, si Italia dhe Bullgaria. Një pjesë e tyre luftuan prërkah forcave partizane maqedone e serbe për çlirimin e trojeve të tyre nga pushtuesit fashistë, ndërsa grupimi nacionalist luftoi në mbrojtje të kufijve etnikë nga forcat pushtuese maqedonase e bullgare. Megjithatë këto trojet u ripushtuan, falë edhe ndihmës së ushtrisë shqiptare, dhe për rrjedhojë, shqiptaret e këtyre trojeve mbetën me statusin e pakicës kombëtare dhe presheva jashtë Kosovës. Shqiptarët e Maqedonisë e të Luginës së Preshevës, përjashtuar ata të Çamërisë, ishin pjesa më e diskriminuar e kombit shqiptar, që mbetën edhe më tej padrejtësisht jashtë kufijve të Shqipërisë. Në ato rrethana Lëvizja Nacionaldemokratike Shqiptare iu kundërvu me ngulm regjimit shovinist maqedonas e jugosllav gjatë viteve 1945-1948 me synim çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Me tej vazhdoi qëndresa e Lëvizjes ilegale e grupeve komuniste, po me këtë synim. Shkupi dhe Maqedonia gjatë asaj periudhe u kthyen në një laborator për eksperimentimin e shumëllojshmërisë së dhunës, për dëbimin në Turqi të shqiptarëve nga gjithë Federata Jugosllave. Ky diskriminim shkaktoi shpërthimin e Luftës së vitit 2001, kur djem dhe vasha shqiptare rrëmbyen armët për çlirim e bashkim kombëtar, të cilëve u erdhën në ndihmë vëllezërit e tyre nga Kosova dhe nga Shqipëria. Kjo luftë përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit, e nënshkruar me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar. Marrëveshja përmirësoi dhe avancoi dukshëm pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, por nuk e zgjodhi çështjen shqiptare, që Maqedonia të bëhej shtet i maqedonasve dhe i shqiptarëve. Prandaj për jetësimin e kësaj të drejte të shenjtë, partitë politike shqiptare në Maqedoni duhet të flasin me një gjuhë e t’i lënë anash inatet e tyre. Përgjegjësi për zgjidhjen mirëfilli të çështjes shqiptare në Maqedoni dhe në Luginë të Preshevës ka ka edhe shteti shqiptar, që në shumicën e rasteve ka mbajtur qëndrim inferior ndaj pushtetarëve maqedonas,e serbë me arsyetimin “e ruajtjes së fqinjësisë së mirë”. Është për të vënë në dukje se Shqipëria, ndonëse është anëtare e NATO-s, asnjëherë nuk e ka ngritur zërin, të paktën për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si parakusht për pranimin e Maqedonisë në këtë organizëm ushtarako-politik.Përgjegjesi mbanë edhge Kosova si shtet i pavarur,i cili duhet kërkojë fillimisht që të drejtat e shqiptarëve në Luginë të jenë një njetjta ashtu,siç unjihen serbëve në Kosovë. Dhe, së fundi kur do të shteren përpjekjet për zgjidhjen e çështjes shqiptare në përbërje të Maqedonisë, atëherë zgjidhja e saj duhet të kërkohet në bashkimin e atyre trojeve me Shqipërinë. Për sa u tha më sipër, qëndrimi shovinist i politikanëve maqedonas po ndiqet prej kohësh nga elaboratet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë, që mohon me kokëfortësi autoktoninë shqiptarëve dhe rezultatet bindëse të historiografisë shqiptare. Është i mirënjohur fakti se Enciklopedia e Maqedonisë, që u botua në vitin 2009, jo vetëm që mohon autoktoninë e shqiptarëve, por lartëson shërbëtorët e regjimeve represive serbe e maqedonase, që lëndojnë rëndë ndjenjat e shqiptarëve. Ky qëndrim i historiografisë dhe i politikës maqedonase reflekton edhe në tekstet shkollore, në të cilat nxënësve shqiptarë u imponohet të mësojnë se të parët e tyre janë të ardhur nga Shqipëria ose të sjellë aty nga Azia pas pushtimit osman. Për fat të keq në ato tekste figurojnë edhe bashkautorë e recensentë shqiptarë. Prandaj, është detyrë e ngutshme që hartimin e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë në Maqedoni, ta bëjnë autorët shqiptarë në bashkëpunim me autorë të Kosovës e të Shqipërisë. Madje, do të ishte mirë të hartohen tekste të përbashkëta për nxënësit shqiptarë kudo në trojet e tyre në Ballkan dhe në diasporë, ashtu siç po veprojnë shtetet fqinje.