Shqiptarët e LSDM-së porosi Zaevit: Më mirë zgjedhje të reja, se qeveri me BDI-në! (Foto)

Rezultatet e zgjedhjeve të djeshme japin mundësi për matematika të ndryshme për koalicionim qeveritar. Mirëpo një matematikë për të cilën nuk duan të dëgjojnë shqiptarët e LSDM-së është koalicioni qeveritar me BDI-në. Së paku kështu thonë një grup aktivistësh që i janë drejtuar redaksisë sonë.

“Nga Likova deri në Strugë jemi kundër koalicionit me BDI-në. Le të bëhen kombinime tjera, por jo me BDI-në”, thonë aktivistët që i janë drejtuar redaksisë sonë.
Në bazë të rezultateve të deritanishme, LSDM ka 46 deputetë, kurse BDI 15. Mirëpo aktivistët e LSDM-së së Zaevit janë të këmbëngulës në kërkesën e tyre për koalicion pa BDI-në.

“Më mirë le të mbahen zgjedhje të reja, se sa qeveri me BDI-në. Partia e Ali Ahmetit nuk është reformuar, aty ende fjalën kryesore e kanë bashkëpunëtorët e Gruevskit dhe Mijallkovit. Nuk mundemi të bashkëpunojmë me këta njerëz”, insistojnë këta aktivistë.
Në paraqitjet e para pas zgjedhjeve, liderët e të gjitha partive kanë lënë të hapura mundësitë për bashkëpunim, por paraprakisht duke thënë se duhet pritur rezultatet zyrtare.