15 deputetët e BDI-së, as hajri i maqedonasve, as sherri i shqiptarëve! (As anasjelltas)

(Rrini rehat, 15 deputetët e BDI-së nuk mund të na i kthejnë skenaret si Monstra e Lagja e Trimave)

Nuhi Bexheti

Numri prej 15 deputetëve që fitoi BDI në këto zgjedhje, te shum miq dhe bashkëveprimtarë të mi ka kthyer kujtime jo të mira. Ata me të drejtë kujtojnë që çdo herë kur BDI ishte në pushtet me shumë deputetë, shqiptarëve u ndodhnin tragjedi. E kujtojnë Sopotin, Brodecin, Projektin Shkupi 2014, Radushën, Monstrën, djegien e pronave shqiptare në Gjorçe Petrov, Lagjen e Trimave, e kështu me radhë. BDI-ja plot deputetë, shqiptarëve plot tragjedi.
Kanë të drejtë, por vetëm pjesërisht. BDI fitoi 15 deputetë, por koalicioni ASH-AAA fitoi 12. Pastaj, në total, BDI nuk e ka shumicën e deputetëve shqiptarë në Kuvend, që do të thotë se nuk ka monopol mbi fatin e shqiptarëve. Kjo është një përparësi për ne, e një handikap për BDI-në, që ia pamundëson qëllimet eventuale për të vazhduar me politikat e vjetra përplot montime e skenare.
Prandaj, BDI mund të bëjë qeveri edhe me LSDM-në edhe me VMRO-në, por kapacitet për të zbatuar skenare të reja antishqiptare nuk do të ketë, sepse patjetër në qeveri do të jetë së paku edhe një parti shqiptare.
Nuk duhet të lëmë anash as matematikat për qeveri pa BDI-në.
Unë bile ende po shpresoj se mund të ndodhin ndryshime në rezultate, nëse publikohen vërtetë në mediume incizimet e paralajmëruara nga bodrumet e Dizhonit (Çairi ) dhe Zajazit të Kërçovës, duke i mbushur kutitë një natë para zgjedhjeve. Presim të shohim.
Sidoqoftë, numri 15 nuk i jep më BDI-së më as komoditetin që të ushtrojë presion ndaj administratorëve shqiptarë, që ishte armë e fuqishme zgjedhore në dorë të BDI-së. Ky rezultat nuk u jep mundësi as sherifëve lokale të kësaj partie të kërkojnë favore nga vajzat shqiptare, si kusht për t’i punësuar, ose avancuar.
Për shkak të financave të mëdha të harxhuara dhe fondeve tashmë të shterura në këto zgjedhje, 15 deputetët janë një rezultat që më shumë përshpejton degradimin e këtij subjekti, se sa e forcojnë atë.
E keqja e këtij rezultati mund të jetë, se do të vonohet, ose kurrë nuk do të realizohet hetimi ndërkombëtar për rastin e Kumanovës edhe pse kam shpresë se me rezultatin e 15 korrikut dhe pa Gjorge Ivanovin president, BDI nuk ka shumë forcë për të refuzuar këtë hetim. E keqja tjetër është se mund të zvarritet, ndoshta edhe një mandat tjetër të mos fillojë ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë, sikur që nuk ka filluar tash e sa mandate të BDI-së.
Thënë troç, me nje fjalë, ky rezultat nuk i jep mundësi BDI-së t’i mbushë xhepat me miliona, duke e shitur interesin e shqiptarëve për pesë pare. E kur nuk mund ta sheshin interesin e shqiptarëve për pesë pare, fitorja e tyre nuk ka kuptim, sepse nuk mund t’i mbushin xhepat me miliona. Kur nuk mund t’i mbushin xhepat me miliona, nuk ka vetura të shtrenjta, nuk ka shtëpi e vila në bregdet, nuk ka dashnore për pushime në Antali…. S’ka lezet pushteti me një fjalë. E vetmja që mund të ju ofrojë ky rezultat është të fitojnë edhe ca kohë për të fshehur gjurmët e veprave koruptive që i kanë bë në të kaluarën.
Duke e përshkruar me një fjalë të vjetër popullore këtë pozitë të BDI-së, do të kisha thënë: As hajri i shqiptarëve, as sherri i maqedonve!
Kështu mendoj unë edhe pse asnjëherë nuk duhet të nënçmohet kapaciteti dhe përvoja e tyre për të inskenuar montime antishqiptare!