‘Shqipëritë’ tona – si projekte për të dëshmuar jetëgjatësinë e shteteve të drejtuar nga injoranca dhe hajdutëria?!

Shkruan: Kim Mehmeti

Gjatë këtyre tri dekadave të demokratizimit të ‘Shqipërive’ tona, ne mund të lëvdohemi thuajse vetëm me dy të arrira: e bindëm rininë tonë se më lehtë çanë rrugë nëpër jetë dhe bëhesh i famshëm i zhveshur lakuriq, se sa i ‘veshur’ me dije.

Pastaj, ne shkuam edhe më tej dhe amoralin, pafytyrësinë, paturpësinë dhe papërgjegjësinë, i ngritëm në ‘vlera’ parësore të shumëpartizmit!

Me çka vendet tona duken si projekte me të cilat ndërkombëtarët duan të tregojnë sa jetëgjatë mund të jenë shtetet e drejtuar nga budallenj dhe hajdutë.

E pse, mos vallë mund të arrinim diçka më shumë ne që vlerë mbi të gjitha vlerat Perëndimore i shpallëm prapanicat e ‘kardashianeve’ tona, ne që për ngjarje kulturore i marrim dasmat e ‘VIP-ave’ dhe që ditë festive i kemi ato kur mbahen mitingjet partiake, e ku u duartrokasim politikanëve injorantë e hajdut, atyre që para syve na gënjejnë e na plaçkitin.

Pra ne ndërtuam shtete ku dominon pakënaqësia, por jo edhe vetëdija se frustrimi dhe revolta që nuk shndërrohet në veprim, përfundojnë ose në vajtim, ose në nënshtrim!

Dhe aty ku pakënaqësia mbetet vetëm lotëderdhje dhe vuajtje e heshtur, njeriu ose pajtohet të jetojë me të keqen, ose ndërmerr atë që bëjnë të rinjtë e ‘Shqipërive’ tona: ikin nga hapësirat ku sundojnë vrastarët e shpresës, ku fatin e të ndershmëve e përcaktojnë hajdutët dhe të pafytyrët dhe ku, njerëzit pajtohen që të keqen e sotme, ta krahasojnë me më të keqen e djeshme!