Shqipëria uron Maqedoninë e Veriut me rastin e përvjetorit të pavarësisë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit me rastin 30-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut.

Presidenti Meta i ka dërguar mesazh urimi homologut të tij Stevo Pendarovski, duke theksuar se miqësia dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut shtrihet në të gjitha fushat dhe sipas tij u shërben marrëdhënieve shumë të mira të fqinjësisë mes dy vendeve, interesave dhe të ardhmes së qytetarëve.

“Jam besimplotë se përpjekjet tona të përbashkëta dhe të vazhdueshme në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian të vendeve tona do t’i kapërcejnë me sukses sfidat, që ngadalësojnë e pengojnë arritjen e këtij qëllimi kaq të rëndësishëm për të ardhmen e qytetarëve tanë, por edhe të rajonit”, thekson Meta në mesazhin e tij të publikuar në rrjetet sociale.

Ai ka vlerësuar më tej se e ardhmja e bashkëpunimit midis dy vendeve fqinje “do të jetë e suksesshme falë edhe marrëdhënieve gjithnjë e më të mira ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve”.

“Komuniteti maqedonas në Shqipëri dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë qenë gjithmonë mbështetës të shtet-formimit dhe të integrimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe në Bashkimin Europian, janë ura të shëndosha miqësie dhe vlera të patjetërsueshme që duhen ruajtur, mbështetur dhe promovuar me të gjitha energjitë tona pozitive”, shprehet ndër të tjera Meta.

Ndërkohë, në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë thuhet se kryeparamentri Ruçi i ka dërguar letër urimi kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

“Në këtë ditë të shënuar, dëshiroj që Republika e Maqedonisë së Veriut të avancojë në rrugën e saj drejt konsolidimit të demokracisë, rritjes së mirëqenies së qytetarëve dhe integrimit evropian. Një urim të veçantë kam për vëllezërit shqiptarë që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në zhvillimin, progresin dhe rrugëtimin europian të vendit tuaj, si edhe shërbimin si një urë miqësie midis dy vendeve e dy popujve tanë”, thuhet në mesazhin e Ruçit.

Ruçi thekson më tej se kanë të drejtë të jenë krenarë për rolin dhe kontributin që Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Maqedonisë së Veriut kanë dhënë dhe do të vazhdojnë të japin, sipas tij, në forcimin e miqësisë dhe rrugëtimin evropian.