Shkup, Inspektorati i tregut kontrollon importuesit e frutave dhe perimeve në “kvantashki”

Në Kvantashki Shkup janë duke vazhduar kontrollet e importuesve të pemëve dhe perimeve, si dhe të gjithë tregtarëve në vend. Mbi 30 inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Tregut (IShT) ndodhen në terren, në koordinim me ekipet e Drejtorisë së Policisë Financiare, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë për pasurinë e konfiskuar, transmeton Portalb.mk.

“Aksioni përfshin importuesit e perimeve dhe frutave në Shkup, është futur edhe në tregun Kvantashki, si dhe kontrolle po bëhen edhe te importuesit me shumicë në Strumicë, Dibër dhe qytete tjera”.

“Importuesit e pemëve dhe perimeve po monitorohen për respektimin e vendimit të Qeverisë për shpërndarjen dhe shitjen e të paktën 70 për qind të sasive që kanë dorëzuar në janar dhe shkurt. Kontrolle janë bërë edhe në të gjitha subjektet tjera të Kavantashki-t për aktivitete të regjistruara dhe të paregjistruara”, tha për MIA-n, drejtori i IShT-së, Goran Trajkovski.

Aksioni, siç paralajmëroi ai, do të zgjasë gjatë gjithë ditës, me të cilin IShT do të dalë me informacione për rezultatin.

Sipas Ligjit për Tregti, gjobat për importuesit, varësisht nga madhësia e tyre, nëse konstatohet mosbindje ndaj vendimeve të qeverisë, variojnë nga 800 deri në 10 mijë euro, ndërsa për veprimtari të paregjistruar, përveç gjobës parashihet edhe konfiskimi i mallit.