Shkup: I prenë rrugën me 3 vetura, e rrahën brutalisht dhe e rrëmbyen, arrestohen 3 persona nga Gërçeci

Më 13.06.2026, në ora 14:00, zyrtarët policorë të SPB Shkup kanë arrestuar R.B. (45), M.B. (36) dhe B.B. (34), të tre nga fshati Gërçeç, Komuna e Sarajit.
Sipas policisë, më 12.06.2026, në ora 21:30, D.E. (36) nga fshati Semenishtë i Shkupit ka raportuar se rreth orës 14:00, në zonën e Karposhit, tre të dyshuarit me automjete të tipit “Hyundai”, “Volkswagen Tiguan” dhe “Volkswagen Passat” i kanë prerë rrugën dhe e kanë ndaluar veturën e tij “Mercedes”.
Sipas kallëzimit, R.B. e ka sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Më pas, të dyshuarit e kanë futur me forcë në njërën nga veturat, duke e dërguar fillimisht në një autopllac në Karposh, ndërsa më vonë e kanë lënë në fshatin Shishevë të Shkupit.
Pas masave të ndërmarra nga policia, personat janë gjetur dhe arrestuar, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tyre do të parashtrohet kallëzim përkatës.