Të paktën 50 persona kanë humbur jetën nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.4 që goditi Kolumbinë perëndimore. Ekipet e emergjencës vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se nuk ka rrezik për cunami.
Presidenti i Kolumbisë, Abelardo de la Espriella, ka mbërritur në Bogotá, ku po drejton reagimin institucional ndaj situatës së emergjencës nga Salla Kombëtare e Krizave e Njësisë Kombëtare për Menaxhimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë (UNGRD).
Në mbledhjen e krizës marrin pjesë edhe nënkryetari, ministrat dhe zyrtarë të lartë të qeverisë, ndërsa autoritetet po koordinojnë ndërhyrjet në zonat më të prekura.
Presidenti kolumbian është shprehur se qeveria do të bëjë “gjithçka të nevojshme” për të mbështetur komunitetet e goditura nga tërmeti. “Nuk jeni vetëm”, shkroi ai në rrjetin social X.
Ndihmë për Kolumbinë ka ofruar edhe Ekuadori. Presidenti Daniel Noboa deklaroi se vendi është i gatshëm të dërgojë një ekip të specializuar USAR, i përbërë nga 47 shpëtimtarë, qen të trajnuar dhe pajisje të specializuara. Ekipi ka autonomi për të operuar deri në shtatë ditë.
Ndërkohë, autoritetet kolumbiane kanë konfirmuar se nuk ka kërcënim për cunami përgjatë bregdetit të Paqësorit si pasojë e tërmetit.
Edhe Shtetet e Bashkuara po e monitorojnë nga afër situatën. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Uashingtoni është i gatshëm të ofrojë mbështetje për Kolumbinë në përballimin e pasojave të fatkeqësisë.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në zonat më të goditura. Ekipet e emergjencës, së bashku me banorët, po kontrollojnë ndërtesat e dëmtuara për të gjetur persona të mbijetuar, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të ndryshojë.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Shekulli”
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.



