Shkolla e Idrizovës, MASH refuzon projektin

Komuna e Gazi Babës duket se po shuan shpresën e banorëve të Idrizovës për ndërtimin e shkollës së paralajmëruar në këtë fshat. Kreu i kësaj komune Boris Georgievski tashmë disa ditë nuk po i përgjigjet telefonatave të televizionit Alsat për të sqaruar nëse në Ministrinë e Arsimit ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për këtë shkollë.

Ndërsa kjo e fundit hesht, nga Ministria e Arsimit sqaruan se dokumentacioni i mbërritur në dhjetor nga komuna Gazi Babë nuk ishte gjë tjetër veç se një kopje e një projekti të një shkolle tjetër të cilën tashmë e ka financuar Ministria e Arsimit”.

Ministri i Arsimit Arbër Ademi shprehet se dokumentacioni që kishin pranuar nuk mund të realizohet në fshatin Idrizovë sepse sipas tij, nuk korrespondon me lokacionin për ndërtimin dhe numrin e nxënësve që duhet të mësojnë në objektin e ri shkollor.

Në fillim të muajit dhjetor komuna e Gazi Babës ka mar përgjigje nga ana jonë dhe ne në atë përgjigje i kemi adresuar të gjitha këto çështje. Na duhet dokumentacion teknik i kompletuar në përputhje me lokacionin ku do të ndërtohet shkolla, në përputhje me nevojat dhe specifikat e fshatit Idrizovë sa i përket rritjes së numrit të nxënësve dhe na duhet leje për ndërtim të cilën leje nuk e kemi. Me projekt të huaj nuk mund të ndërtohet shkolla, për një arsye parësore, mbrojtja e të drejtave autoriale në radhë të parë pastaj edhe arsye të tjera- deklaroi Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Qeveria më 2 tetor të vitit të kaluar i dha mbështetje ndërtimit të objektit të ri shkollor në fshatin Idrizovë. Kjo e fundit i dha detyrime konkrete komunës së Gazi Babës që të sigurojë dokumentacionin e nevojshëm për realizimin e projektit për ndërtimin e shkollës së re dhe me këtë të zgjidhet fati i nxënësve shqiptarë të këtij fshati. Në mungesë të mësimit shqip në Jurumleri, 11 nxënësit e klasës së gjashtë u shpërndanë në dy shkolla në fshatin Ognjancë dhe në Shkup, në shkollën fillore Kongresi i Manastirit.