Presidenti polak Andzhej Duda do të tentojë sot në Varshavë ta bind presidentin francez Emanuel Makron që ta lehtësojë qëndrimin e tij skeptik ndaj zgjerimit të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut, kumtuan nga Kabineti i presidentit polak.
Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi, Beta e transmeton deklaratën e shefit të kabinetit të presidentit polak Kshishtof Shçerski, i cili deklaroi se “Polonia do t’i bind partnerët francezë që ta lënë derën e hapur për vendet që dëshirojnë të hyjnë në BE dhe NATO”.
“Presidenti Duda dëshiron të bisedojë për shkaqet për qëndrimin skeptik të presidentit francez dhe mundësinë që të heqë dorë nga ai”, deklaroi Shçerski për bisedat e ardhshme gjatë vizitës së parë bilaterale të presidentit francez në Poloni, pas shtatë viteve.
Ai përkujtoi se “një ditë më vonë, të martën, presidenti Duda në Varshavë do të takohet me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe do ta transmetojë epilogun nga bisedat me presidentin Makron”.
Vizita dyditore e Emanuel Makronit në Poloni, që paraqet tentim për zbutjen e marrëdhënieve mes Parisit dhe Varshavës, posaçërisht pas Bregizit, do të shoqërohet nga ministrat e Punëve të Jashtme, Mbrojtjes, Ekonomisë dhe Kulturës, ndërsa presidentët do të nënshkruajnë program për bashkëpunimin strategjik polako-francez për katër vitet e ardhshme.
Makron dhe Duda sot do të bisedojnë për çështje bilaterale, raportin e NATO-s me Rusinë, ku Polonia, për dallim nga Franca, nuk dëshiron të heqë dorë nga sanksionet dhe presionin e rritur ndaj Moskës derisa, siç tha ministri polak i Punëve të Jashtme, Jacek Çaputoviç, nuk kthehet respektimi i së drejtës ndërkombëtare.
Nga pala franceze u paralajmërua se presidenti Makron, gjatë vizitës së tij të parë në ndonjë vend të BE-së pas braktisjes së Britanisë së Madhe, dëshiron t’i përmirësojë marrëdhëniet me Poloninë, të cilat me ardhjen e konservativëve nga viti 2016 filluan të përkeqësohen.