Shkatërrimi i shqiptarisë në Maqedoni të Veriut

Në zonat e lira të Maqedonisë lindore, që nga themelimi i tyre, janë hapur rreth 33,000 vende të reja pune, duke siguruar jetesë direkte dhe indirekte për afro 130,000 banorë të asaj ane, në kohën kur në pjesën veriperëndimore të shtetit shumëçka shumëzohet me një zero rezultat, po aq edhe koshiencë.

Shkruan: Mersel BILALLI, Gostivar

Në garën e lëvdatave boshe se kush është ai që e mban timonin e kush shërben si reklamë në qeverinë aktuale, pa dilemë se Jovan Despotovski, drejtori i TIRZ-it (Zonat e Zhvillimit Teknologjiko-Industrial), është një përjashtim grandioz. Ai flet pak, por punon shumë për popullin e vet. Të gjitha investimet nga jashtë i dërgon në pjesën lindore të shtetit, kurse në pjesët shqiptare ato zona boshe tanimë janë shndërruar në pushimore për qentë endacakë dhe kullota për gomarët pa pronarë.

Ditë më parë, Jovan Despotovski kishte arsye të lëvdohej duke theksuar se këtë vit po e fillon me një investim të ri marramendës nga Tajvani në vlerë prej 250 milionë eurosh, duke hapur edhe 4,000 vende të reja pune. Ai theksoj se qëllimi fillestar që ia kishte vënë vetes kishte qenë realizimi i një miliard euro investimeve të reja në zonat zhvillimore teknologjiko-industriale deri në fund të mandatit në vitin 2024. Por, ja që parashikimet e veta i kishte realizuar që në këtë vit. Lëvdata e tij ka bazë të fortë, sepse këto ditë në Taipei u nënshkrua marrëveshja për investim të grupit tajvanez “Yageo” në Maqedoninë e Veriut me një shumë totale prej 250 milionë eurosh, e planifikuar për hapjen e 4,000 vendeve të reja të punës në pjesën lindore të shtetit.

Vitin që shkoi Despotovski, me meritë, u lëvdua për ardhjen e mbi 430 milionë eurosh investime të reja dhe për hapjen e mbi 3.500 vende të reja të punës për një vit dhe se me këto shifra e përmbyll vitin më të mirë deri tani që nga ekzistenca e zonave zhvillimore teknologjiko-industriale. Ai, në tetorin e vitit të kaluar, pati theksuar se tashmë e kishte tejkaluar kufirin më të lartë të eksportit prej tre miliardë eurosh, që ishte rezultati akoma më i lartë se ai i arritur në vitin 2021.

Në zonat e lira të Maqedonisë lindore, që nga themelimi i tyre, janë hapur rreth 33,000 vende të reja pune, duke siguruar jetesë direkte dhe indirekte për afro 130,000 banorë të asaj ane, në kohën kur në pjesën veriperëndimore të shtetit shumëçka shumëzohet me një zero rezultat, po aq edhe koshiencë. Vitin e kaluar në zonat lindore u realizuan mbi 430 milionë euro investime të huaja dhe mbi 3,500 vende të reja pune, pra vetëm për një vit. Despotoski, me arsye me krenari do të theksojë: “Kjo është diçka që duhet të na gëzojë të gjithëve. Politika ime është ajo për të cilën njerëzit kanë nevojë, e ato janë rezultatet konkrete dhe të dukshme. Politikat e lëkundura, premtimet, strategjitë dhe të ngjashme nuk paguajnë faturat në shtëpi, nuk mbulojnë kostot e arsimit dhe kujdesit shëndetësor të denjë dhe as nuk vendosin ushqim në tryezë”. Tjetër punë është ajo që ai si duket kujdeset vetëm për disa tryeza, e jo për të gjithë tryezat!

Kriza energjetike ende është pa dyshim sfida më e madhe me të cilën përballen kompanitë, jo vetëm këtu, por edhe globalisht. Megjithatë, analizat tregojnë se kompanitë në zonat lindore të shtetit e thithin mirë ndikimin e zhvillimeve globale. Kështu, për shembull, 70 për qind e tyre kanë shënuar rritje të eksporteve dhe importeve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si dhe rritje të numrit të vendeve të punës. Tani me të madhe punohet në masat që u mundësojnë kompanive të ngrenë termocentralet e tyre fotovoltaike dhe të bëjnë prodhimin e energjisë elektrike për nevojat e tyre.

Në zonat lindore, vetëm për dy vite janë realizuar afro 5,000 punësime të reja. Kështu, kompania e njohur farmaceutike gjermane “Gersheimer” ka investuar rreth 126 milionë euro, duke hapur vende pune për 400 persona, kurse tani parashihet faza e dytë për zgjerim të kapaciteteve të kësaj kompanie.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e TIRZ-it, vëllimi i përgjithshëm i eksporteve në gjashtëmujorin e parë të vitit që shkoi arriti në 1 miliard e 717 milionë euro, që është një rritje prej 11.5% krahasuar me vitin 2021, mbi 87% krahasuar me vitin 2020 dhe 49% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Një aktivitet ekonomik rekord ka edhe në importet në zonat në fjalë. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, niveli total i importeve kishte arritur në rreth 1 miliard e 601 milionë euro, që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 është për 4.3% më shumë, ndërsa krahasuar me vitin 2020 ka një rritje me mbi 97%, dhe krahasuar me vitin 2019 dhe vitin 2018 ka një rritje të importeve prej 23.6%.

Gjithashtu, atje janë në proces edhe zhvillimet e metodologjive krejtësisht të reja për dhënien e ndihmës shtetërore, ku në plan të parë është jo vetëm interesi i investitorëve, por edhe kthimi për shtetin, gjegjësisht shoqërinë, e cila më tej e specifikon pjesën që ka të bëjë me ndihmën shtetërore. Janë prezantuar po ashtu rregulla të qarta të lojës me karta të hapura. Kështu është fituar besimi i investitorëve të jashtëm dhe kjo verifikohet qartë në dy vitet e fundit.

Për vitin 2023 është ndërtuar një koncept krejtësisht i ri i funksionimit të Drejtorisë për TIRZ, duke integruar edhe institucione të tjera të shtetit brenda vetes, me qëllim që të krijohet një pikë të vetme hyrëse për mbështetjen e shtetit për të gjitha kompanitë e mesme dhe të mëdha, pavarësisht nga ajo se nga vjen kapitali dhe ku janë të vendosura kompanitë. Planifikohet që Agjencia për Investime të Huaja të integrohet së shpejti në Drejtorinë për TIRZ, me qëllim që të krijohet një pikë e vetme hyrëse për kompanitë e mesme dhe të mëdha, të huaja dhe vendase.

Në zinxhirin e investimeve të huaja në pjesën lindore të shtetit merr pjesë edhe magnati i njohur ekonomik “Johnson Matthey”, një kompani britanike me renome botërore për prodhimin e konvertuesve katalitikë për industrinë e automobilave dhe sistemeve të kontrollit të konverterëve katalitikë. Kjo kompani, e cila operon në më shumë se 30 vende të botës me më shumë se 15,000 punëtorë, në Maqedoni ka hyrë si investitor që në vitin 2010 me një fabrikë në Zonën Zhvillimore Teknologjiko-Industriale “Shkup-1”. Meritat për ardhjen e kësaj kompanie në Maqedoninë e Veriut janë të një agjencie zyrtare qeveritare për promovimin e investimeve të huaja dhe mbështetjen e eksportit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

KROMBERG & SCHUBERT është një grup global industrial, kryesisht aktiv në industrinë e automobilave, i përbërë nga katër njësi biznesi në prodhimin e kabllove, rrjeteve, teknologjisë plastike dhe mekatronikës. Produktet e saj shkojnë te prodhuesit më të mëdhenj europianë të makinave (VW, BMW, AUDI, Mercedes, Shkoda…). Në Maqedoni, kjo kompani e ka ndërtuar fabrikën në Manastir, ku janë punësuar mbi 5,000 punëtorë.

Një fabrikë e re tani hapet në Zonën Zhvillimore Teknologjiko-Industriale në Shtip. Ky investim është i kompanisë “Magnamechatronics”, e cila projekton, zhvillon dhe prodhon sisteme, module dhe komponentë automobilistikë. Ky është investim prej rreth 40 milionë eurosh dhe sipas planit të biznesit janë planifikuar të paktën 600 vende të reja pune.

Në Kavadar janë të punësuar rreth 6,000 njerëz në kompanitë e huaja, ku vend të veçantë zënë kompanitë “Draxlmaier” dhe “Coficab”. Atje tanimë ka mungesë të fuqisë punëtore. Investime të reja të huaja ka edhe në Koçan, ku janë në proces kompanitë “Antura” dhe “Anfenol”!

Këtu janë edhe shumë kompani të tjera, si “KEMET Electronics”, kompanitë farmaceutike “Prodis” dhe “Protek Group”, “DURA Automotive” (një furnizues global i komponentëve origjinalë për prodhuesit më të njohur të makinave në mbarë botën), investimi në zonën ekonomike Zhabeni të Manastirit nga kompania “Brainchild Production”, ku do të hapen 500 vende të reja të punës, pastaj kompania gjermane “Iprotex” etj.

Zona e gjelbërt në Gjevgjeli!

Zona teknologjike industriale në Gjevgjeli po bëhet zona e parë investuese “e gjelbër” në vend, e cila do të fokusohet në mbështetjen e industrive të gjelbra dhe kjo zone do të funksionojë si partneritet publik-privat. Në këtë zonë për herë të parë ka mundësi për investime në sektorin e shëndetësisë. TIRZ-i atje vendosi ta zhvillojë atë zonë në partneritet me një kompani tjetër ndërkombëtare të konsulencës me emër “Deloitte”. “Ne po hapim mundësinë për zonën e parë të gjelbër dhe shëndetësore në Maqedoninë e Veriut. Ne tani po ndryshojmë plotësisht konceptin e zhvillimit. Njerëzit dhe tokat janë burime të kufizuara, andaj ne do të mundohemi me metoda të reja të nxjerrin fitimin më të madh për të gjithë qytetarët atje. Me këtë model të ri planifikohet të investohen rreth 120 milionë euro në infrastrukturën adekuate për zhvillimin e zonës në Gjevgjeli, me qëllim që të inkurajohen investimet në vlerë prej 400 milion eurosh, me çka do të hapen mbi 3,000 vende të reja pune” – ka deklaruar i famshmi Despotovski. Ai paralajmëron se në periudhën e ardhshme do të realizohen disa iniciativa, ndër të cilat pilotimi i aktiviteteve në kuadër të Fondit Strategjik të Investimeve të Gjelbra. Se tanimë është duke u zhvilluar faza e dytë e ndërtimit të zonës së parë të gjelbër në Ballkan, me një vlerë investimi me mbi 400 milionë eurosh, duke mundësuar qasje në burime të rinovueshme të energjisë në atë TIRZ, në vlerë prej mbi 120 milionë euro dhe ndërtimit të zonës së parë zhvillimore të teknologjisë së lartë “Shkupi 3”, me potencial investues prej mbi 850 milionë eurosh dhe deri në 5,000 vende pune mirë të paguara!

Maqedonia veri-perëndimore në aut!

Në pjesën veriperëndimore të shtetit, e cila është e banuar me shumicë shqiptare, funksionojnë vetëm tri kompani të huaja që kanë njëfarë peshe, por edhe këtu punësimi i shqiptarëve është shumë i vogël ose simbolik, gjë që rrjedhë nga mungesa e interesimit të faktorit politik shqiptar. Shteti tani tmerrshëm zbrazet nga popullata shqiptare. Gjithë teknika e qeverisjes shqiptare për vite bazohet në lëvdata boshe dhe patriotizëm bajat, madje të përkrahur nga disa media dhe gazetarë të korruptuar, të cilët synojnë t’i bindin njerëzit se fati i tyre është i lidhur me folklorin dhe fjalët boshe dhe se fjala ekonomi në gojën e politikanëve shqiptarë nuk figuron aspak. Ata merren me çmimet e patateve dhe domateve! Thjesht, ne vetë e kemi dëbuar rininë shqiptare, madje atë më meritore, duke u kujdesur për nivelin më të ulët njerëzor që të vetmin talent e ka aplauzin dhe sharjet! Tani këtu ka mbetur një rini e paktë, e cila me arsye frikohet për fatin e vet. Shumë njerëz e lënë punën shtetërore dhe ikin, sepse shef kanë kalibra të lump-proletariati! Në këtë vend duket se më së shumti flasin ata që heshtin! Ajo rini e shëndosh që ndjehej e hedhur, e nënçmuar dhe e poshtëruar ka ikur prej këtu. Këso degradimi popullit të vet s’do i bënte as ndonjë pushtet okupues! Kur gomari hyn në pallatin mbretëror, ai nuk bëhet mbret, por pallatin e bën stallë!

Partizimi i çmendur e shkatërroi shqiptarinë në Maqedoni. Këtu peshë mund të ketë ndonjë rrugaç që incizon paciente pa fije ndërgjegje, por jo edhe një njeri i ndershëm dhe profesional! Kjo është pasqyra e këtij shqiptarizmi të mbetur, sa i mjerë, po aq edhe tragjik. Demografët analizojnë se në këtë shtet nuk ka mbetur popullatë shqiptare rezidente më tepër se 220 mijë, ku shumica dërmuese janë mbi 50 vite moshë. Ky eksod njerëzor do mbetet në histori si tragjedi kolektive e një truri individual. Sistemi meritor, që është çelësi magjik për zhvillim, këtu qëmoti është hedhur në kanalizim, andaj edhe jetën e kemi të ngjashme. Tani këtu në masë të madhe kanë mbetur jomeritorët, që s’dinë çka të bëjnë as me vetveten! Me të drejtë Escobar-i thotë se politikanët këtu “nuk kanë evoluar në të menduarit e tyre të bllokuar”.

Pa dilemë se “Korridori 8” ka peshë të madhe gjeopolitike dhe ekonomike për shqiptarët në rajon dhe jorastësisht ai u fillua që në vitin 1994 me ndërtimin e bazamentit hekurudhor dhe të urave drejt Bullgarisë. Ndërkaq në vitin 1997 u fillua edhe autostrada Shkup-Tetovë, e shumë më herët ajo Kumanovë-Shkup. Unaza e Shkupit është përfunduar që në vitin 2009. Andaj është qesharake që të vihet gurthemel pasi është ndërtuar gjysma e shtëpisë! Gruevski e pat ndërprerë “Korridorin 8” me prapavijë politike, edhe pse kishte një partner shqiptar. Pra, komponente të Korridorit 8 kanë filluar të ndërtohet qëmoti me autostradën prej Kumanove e deri në Gostivar në gjatësi prej 130 km! Derisa shqiptarëve u mbeten lëvdatat boshe, qeveritarët maqedonas në heshtje e bëjnë punën e tyre me vlerë shekullore. Ata nuk hamenden të thonë se dëbimin e shqiptarëve më së miri e bëjnë vet shqiptarët! Askush nuk e ka pyetur Despotovskin se përse qenka gjendja kështu, madje e gjithë ajo e tij kalon në qeveri me financa marramendëse. Shqiptarët politikë të dehur vazhdojnë të lundrojnë pa kompas, derisa shqiptarët meritorë ose kanë ikur ose u janë vrarë shpresat! /revistashenja