Shifrat në rritje me COVID-19 nxisin përplasjet për datën e zgjedhjeve

Rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus ka thelluar përplasjet mes partive për datën e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut. Lidhja Social Demokrate që drejtohet nga ish-kryeministri, Zoran Zaev, vazhdon të insistojë për zgjedhje më së voni deri më 5 korrik ndërkohë që zyrtarët e saj tashmë kanë nisur fushatën ende pa shpallur zgjedhjet.

Nga kjo parti thonë se zgjedhje duhet të ketë meqë vendi nuk mund të drejtohet më nga qeveri teknike e cila po funksionon sipas dispozitave që parasheh gjendja e jashtëzakonshme, e cila është ende në fuqi për t’i mundësuar asaj përballjen me pandeminë.

“Vendi jonë përballet me pasoja serioze pasi tani një kohë të gjatë është pa parlament funksional. Ne po futemi në zonën kritike të afateve dhe shumë lehtë mund të ndodhë që të mos kemi zgjedhje as në dhjetor në afatin e rregullt pasi askush nuk mund të parashikoj se çfarë do të ndodhë me pandeminë. Mund të kemi valë edhe më të rëndë dhe të pamundësonte zgjedhjet, andaj besojmë se mbajtja e tyre në korrik do të ishte mundësia më e mirë për zgjedhjen e institucioneve të reja, të gatshme që të përballen me gjendjen e krijuar”, ka deklaruar Kostadin Kostadinov, anëtar i kryesisë qendrore të LSDM-së.

Në rast se partitë nuk merren vesh për datën, me përfundimin e gjendjes së jashtëzakonshme, ato automatikisht duhet të mbahen më 5 korrik, bazuar në afatet që ishin caktuar për zgjedhjet e parapara më 12 prill, por që anuluan në mars kur u shpallë gjendje e jashtëzakonshme.

VMRO DPMNE-ja opozitare mbeten në qëndrimin se zgjedhje nuk mund të mbahen në kohën kur shifrat me të infektuar janë alarmante dhe se çdo vendim për të shkuar në zgjedhje mundet edhe më shumë të rrezikoj jetën e qytetarëve.

“Në një situatë të këtillë, është çmenduri të flitet për zgjedhje. Sado që Zoran Zaev thotë se kemi gjendje normale, shifrat tregojmë se kemi jonormalitet dhe përkeqësim të gjendjes”, thotë nënkryetari i VMRO DPMNE-së, Vllado Misajllkovski.

Opozita vlerëson se zgjedhje mund të mbahen vetëm pasi gjendja të nisur të përmirësohet dhe të kemi shifra të ulëta të të infektuarve pasi çdo mbajtje të zgjedhjeve në këto rrethana mund të përkeqësoj edhe më shumë gjendjen. Si datë të mundshme për zgjedhjet kjo parti përmend gushtin apo fillimin e shtatorit.

Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, thotë se zgjedhjet duhet të mbahen në korrik, por vetëm nëse do të ketë kushte shëndetësore.

“Kur flasim për data, qëndrimi jonë është 5 korriku si datë e fundit nëse mbahen zgjedhjet këtë verë, por mendoj se në dy javët në vazhdim duhet të përqendrohemi në gjendjen shëndetësore, ti ndjekim trendët epidemiologjike dhe të bazohemi në këto dy parime, gjendja shëndetësore dhe konsensusi”, ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Aleanca Shqiptare në opozitë kërkon gjithashtu që zgjedhjet të mbahen pasi të jenë krijuar kushtet shëndetësore diku në muajt korrik apo gusht./REL