Shfuqizimi i rrëfimit mbi bashkimin kombëtar, Kurti në Shqipëri me flamur, himn e simbole të Kosovës

Kurti në Tiranë është pritur me ceremoni shtetëtore ku është intonuar edhe himni i Kosovës dhe janë shfaqur flamuri e simbole të Kosovës, shkruan lajmi.net.

Kryeministri Kurti, gjatë kësaj vizite është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta dhe kreun e opozitës në Shqipëri Lulzim Basha.

Mirëpo, gjatë kësaj vizite në Shqipëri, Kurti nuk e ka përmendur fare Bashkimin Kombëtar, njërën nga kryefjalët e tij në ligjërimin politik si opozitar.

Kurti përmendi që mes Kosovës dhe Shqipërisë do të zbatohen marrëveshjet e arritura, do të shtohen marrëveshjet e do të rritet bashkëpunimi, por nuk ka përmendur në asnjë fjalë diçka që asocion me Bashkimin Kombëtar.

“Jam shumë i gëzuar që sot jam në Tiranë, shteti  i parë jashtë Kosovës patjetër që duhet të ishte Shqipëria. Ju falënderojë për mikëpritjen e përzemërt. Dua të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri që asnjëherë nuk ka pasur në vendet tona. Këto vende janë prioritet i njëra-tjetrës, u dakorduam të foromojmë një komision ndërshtetëror që ato 77 marrëveshje që janë nënshkruar deri më tani të zbatohen por edhe të shtohen të reja. Duam të shtojmë më shumë bashkëpunimin. Duam që të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik të prodhimtarisë, arsimit, sigurisë dhe politikës së jashtme. Ne dy kryeministrat, do ta dëshmojmë se do avancojmë bashkëpunimin tonë ndërshtetërorë në fusha dhe përmasa çfarë i ka dëshiruar populli ynë”, ka deklaruar Kurti, raporton lajmi.net.

Takimi i Kurtit me Ramën është përcjellur me mosmarrëveshje dhe tensione të cilat janë vërejtur edhe gjatë konferencës së përbashkët për media.

“Ky është takimi i parë, ka shumë tema që do t’i trajtojmë. Këtë temë e kemi diskutuar, por pak. Ky takim ishte më shumë për makroshengenin shqiptar, se sa minishengenin ballkanik”, është shprehur Kurti.

Por Rama nuk u pajtua me prioritetet që i renditi Kurti. Ai tha se fillimisht duhet të flasin për minishengenin ballkanik.

“S’ka makroshengen shqiptar, pa minishengen ballkanik”, ia ka kthyer Rama.

 

Edhe në takimin e tij me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, Kurti nuk e ka përmendur Bashkimin Kombëtar, por ka përmendur edhe më tutje rritjen e bashkëpunimit midis dy vendeve.

“Ka aq shumë fusha ku edhe mund të realizojmë marrëveshjet e nënshkruara por edhe pse jo të ketë edhe të reja”, tha Kurti.

Kurti Bashkimin Kombëtar nuk e përmendi as në takimin me kreun e opozitës në Shqipëri, Lulzim Basha. Ai pas takimit me të është shprehur se të dy vendet duhet të jenë në nivel të detyrës karshi qytetarëve të të dyja vendeve.

“Patëm një takim të përzemërt dhe konstruktiv me liderin e opozitës Lulzim Basha. Pozitë e opozitë në të dyja anët e kufirit. Kuvend e qeveri do të bashkëpunojnë në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të jenë në nivel të detyrës. Jo vetëm zyrtare, por edhe historike për qytetarët tanë, të cilët siç e dimë, janë edhe me varfërinë më të madhe dhe papunësinë më të madhe jo vetëm në rajonin tonë. Pra, është obligim i ynë si politikanë kudo që jemi tërë kohën të jemi në shërbim të qytetarëve edhe të Kosovës, edhe të Shqipërisë për të ngritur dinjitetin”, tha Kurti.

Kurti pas zgjedhjeve të 6 tetorti ku doli fitues dhe pas formimit të qeverisë dhe marrjen e detyrës së kryeministër i Kosovës është akuzuar shpesh për bratisje të parimeve dhe qëndrimeve të tij politike.

Një dëshmi se këto pohime mund të jenë të vërteta është edhe fakti se Kurti sot gjatë vizitës së tij në Shqipëri ka pranuar të përfaqësohet me simbolet e Kosovës gjë që më herët nuk e kishte bërë, dhe nuk e ka përmendur fare Bashkimin Kombëtar.