Intervistë me kryetarin e Këshillit shqiptaro-amerikan, Haxhi Dauti: Deri sa të jetë gjallë diaspora i ka borxh vendlindjes! (Video)

Që kur është detyruar në moshë 17 vjeçare të largohet nga vendlindja nën presion të regjimit komunist dhe të migrojë në Amerikë, strugani Haxhi Dauti është betuar se asnjëherë nuk do të ndalet në veprimtarinë për t’i ndihmuar vendlindjes. Në fillim të viteve 90-ta, kur po shpërbëhej Jugosllavia, Dauti ka themeluar Këshillin shqiptaro amerikan, një ndër shoqatat e para që hapi rrugën e politikanëve shqiptarë në ish Jugosllavi dhe u mundësoi qasje në institucionet amerikane. Për një gjë të tillë ai para së gjithash falënderon ish kongresmenin Diogardi, por edhe shumë figura të politikës amerikane që kanë ndihmuar çështje shqiptare. Në zyrat e tij hasen fotografi të përbashkëta me kryetarin e parë të PPD-së, Nevzat Halili, me ish presidentin amerikan, Bill Klinton, me Xho Bajden, Bob Doll, e shumë figura kyçe të politikës amerikane. Ekipi i LajmTv në SHBA ka vizituar zyrat e Këshillit Shqiptaro Amerikan në Nju Xhersi, ku zhvilluam një intervistë ekskluzive me kryetarin e saj, Dauti. Në këtë intervistë ai thotë se mërgata është në disponim të vazhdueshëm të vendlindjes. Për të ruajtur vetëdijen kombëtarë të mërgimtarëve shqiptarë, Dauti thotë se KSHA po përgatit një projekt për shkëmbim të përvojave të rinisë-të rinj shqiptarë nga Amerika do vijnë në vendlindje, kurse të rinj shqiptarë nga vendlindja do të shkojnë në Amerikë. Dauti sqaron se projekti është në përgatitje dhe nëse sigurohen mjetet e nevojshme ai do të bëhet realitet. Ai komenton edhe zhvillimet politike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, kurse porosia për zgjedhjet e 12 prillit në Maqedoni është që shqiptarët të mos e shesin votën e tyre. Intervistën e plotë mund ta përcillni në videon më poshtë: