Skender Asani: Xhemijeti demaskoi politikën shoviniste dhe antishqiptare të Serbisë (Video)

Se “Xhemijeti” ishte organizatë e cila luftoi për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene, këtë e thonë troç edhe albanologët e huaj të njohur, në si: Noel Malcolm, Robert Elsie e Oliver Shmit. Kontributet shkrimore për këtë organizatë, në përgjithësi, mbetën në nivelin e punimeve publicistike, të mendimeve në kuadër të ndonjë monografie etj. Përgjigjen më të plotë rreth disa hamendësimeve në lidhje me veprimtarinë e kësaj organizate, të interesuarit do ta marrin në vitin 2017 përmes monografisë së shkruar dhe vëllimit me dokumente të studiuesit Dr. Skender Asanit me titull: “Veprimtaria e organizatës politike Xhemijeti në trevat lindore (1919 – 1925)”, të botuar nga Shtëpia botuese “Logos-A” në Shkup. Studiuesi, dr. Skënder Asani, duke shfrytëzuar një mori burimesh arkivore të hulumtuara në arkivat rajonale dhe më gjerë, literaturën e botuar rreth kësaj organizate, shtypin e kohës etj., sjell konstatime bindëse se kjo organizatë, e themeluar para 100 vjetësh me mbështetjen intelektuale të Nexhip e Ferhat Dragës, Nazim Gafurrit etj., në mbështetje të organit të saj “Hak”, i cili po i përhapte idetë dhe shqetësimet e artikuluara nga drejtuesit e “Xhemjetit” me qendër në Shkup, pra aty ku gjendej edhe selia e organizatës, kanë luajtur rol të rëndësishëm për propagandimin e të drejtave të shqiptarëve dhe demaskimin e politikës shoviniste serbomadhe ndaj shqiptarëve. Se “Xhemijeti” veproi në mbrojte të interesave kombëtare, ky është argumenti tjetër që ofrohet edhe nga studiuesi Dr. Skender Asani në studimin e tij në lidhje me bashkëpunimin e “Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” më seli në Shkodër dhe “Xhemijetit” më seli në Shkup. Pra, dy organizata që kishin seli në qytete të ndryshme, por që vepruan në periudhë kohore të njëjtë. Historiografia shqiptare është unike në mendimin se “Komiteti Mbrojta Kombëtar e Kosovës” me qendër në Shkodër ishte organizata që i demaskoi fuqishëm padrejtësitë ndaj shqiptarëve jashtë kufijve politikë të Shqipërisë. Pra, ajo organizatë i mbrojti interesat kombëtare. Prandaj vetvetiu lind pyetja: po qe se drejtuesit e “Komitetit Mbrojta Kombëtare e Kosovës” nuk do të kishin bashkërendim pikëpamjesh me drejtuesit “Xhemijetit”, a do të bashkëpunonin udhëheqësit e tyre ndërmjet vete? Mendimi im është pa fije dyshimi Jo! Por, ajo që i shtyri të kenë kontakte të mira pjesëtarët e këtyre dy organizatave, ishin pikërisht pikëpamjet e tyre në mbrojte të interesave shqiptare, veçanërisht të popullit shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë politike. Kuptohet, secila organizatë e dha kontributin e saj, duke i shfrytëzuar rrethanat politike të vendeve ku vepruan. Sigurisht, ndikimi i drejtuesve të “Komitetit Mbrojta Kombëtar e Kosovës” te drejtuesit e “Xhemijeti” nuk do të shihet me sy të mirë nga pushteti i atëhershëm. Si përfundim, mund të thuhet se organizata “Xhemijeti” me seli në Shkup, me veprimtarinë e saj, u tregua mbrojtëse e denjë, për aq sa e lejonin mundësitë e kohës, e interesave shqiptare, në Jugosllavinë e periudhës në mes dy luftërave botërore. Sado që “Xhemijeti” për nga emri dukej me karakter fetar, në thelb veprimtaria e udhëheqësve të kësaj organizate u vu në mbrojtjen e interesave kombëtare.