SHBA në kontakt me Ukrainën e NATO-n për aeroplanët luftarakë

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki deklaroi sot se zyrtarët amerikanë mbeten në kontakt me Ukrainën dhe NATO-n në lidhje me avionët luftarakë për Ukrainën, pasi Pentagoni vlerësoi se marrëveshja që përfshin avionët polakë është e paqëndrueshme.

Psaki u tha gazetarëve se sfidat logjistike mbeten nëse avionët polakë MiG duhet të përdoren për të ndihmuar Ukrainën, raporton Reuters.
Dje, Shtetet e Bashkuara refuzuan ofertën e aleatit të NATO-s, Polonisë, për të transferuar avionët e saj luftarakë MiG-29 të prodhimit rus në bazën amerikane në Gjermani, me qëllim rimbushjen e forcave ajrore ukrainase në mbrojtje kundër pushtimit rus.

Uashingtoni po përpiqet të përshpejtojë dërgimin e armëve në Ukrainë, por mundësia e hyrjes së avionëve luftarakë nga territori i Aleancës në zonën e luftës “ngre shqetësime serioze për të gjithë NATO-n”, tha Pentagoni.

NATO ka thënë se nuk dëshiron një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë, një fuqi tjetër bërthamore, dhe presidenti amerikan Joe Biden ka përjashtuar dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë.

Më herët sot, kryeministri polak Mateusz Morawiecki deklaroi se vetëm të gjitha vendet anëtare të NATO-s mund të marrin një vendim për dërgimin e avionëve luftarakë në Ukrainë.