Kosova përmendet si territor, prej ku mund t’u dërgohen avionë ukrainasve (VIDEO)

Për faktin se nuk është anëtare e Bashkimit Evropian e as e NATO-s, Kosova po “konsiderohet” një territor potencial nga ku mund të dërgohen avionë luftarakë MIG-29 për në Ukrainë.

Kievi zyrtar  po i kërkon fluturaket në fjalë prodhimi i Rusisë e në pronësi të Polonisë, për të luftuar forcat e Vladimir Putinit, që nisi agresionin mbi Ukrainë më 24 shkurt.

Opsioni i tillë u raportua nga emisioni televiziv gjerman” Tagesschau” duke treguar detaje se avionët mund të ngjyrosen në bazën amerikane “RAMSTEIN” në Gjermani dhe të sillen në Kosovë.

Në operacione tjera, këtu, siç thuhet, ka gjasa të vijnë edhe pilotët ukrainas, të cilët do t’i merrnin avionët për t’i dërguar në vendin e tyre.

Por sipas televizionit ARD, një vendim i tillë ende nuk është marrë dhe asnjë vend nuk është përmendur si territor nga ky fluturakët nisen në vendin e përfshirë nga lufta.

Shtetet e bashkuara refuzuan, të martën, ofertën e Polonisë për t’i dërguar në Ukrainë, disa aeroplanë luftarakë, prodhim rus, nëpërmjet një baze amerikane në Gjermani.

Kancelari gjerman tha se kjo nuk bëhet nga territori i shtetit të tij.

“Ne e përkrahim Ukrainën , financiarisht e në forma të ndryshme, qe sa vjet. Kjo është bërë për të forcuar ekonominë ukrainase. Këtë përkrahje po e vazhdojmë edhe tash në krizë. Ka mbështetje të madhe financiare, humanitare dhe disa lloje të caktuara armësh. Tani po mendojmë çka mund të bëjmë më konkretisht, por ofrimi i avionëve luftarak sigurisht nuk vije në shprehje” theksoi kancelari Olaf Scholz.

Ai këto komente i bëri gjatë një konference me kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau i cili po viziton Berlinin.