SHBA, Koreja e Jugut e Japonia mbajnë stërvitje përballë kërcënimeve nga Koreja e Veriut

Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia kanë mbajtur stërvitje të përbashkëta detare, në të cilat u përfshi një aeroplanmbajtës amerikan, për të siguruar gatishmëri kundër kërcënimeve bërthamore dhe raketore nga Koreja e Veriut, tha marina e Seulit të premten.

Koreja e Veriut e ka përshpejtuar zhvillimin e armëve, dhe javën e kaluar e testoi një raketë hipersonike me lëndë djegëse të ngurtë.

Të mërkurën, lideri verikorean Kim Jong Un tha se tani është koha e duhur për të qenë më të përgatitur për luftë se asnjëherë më parë, duke përmendur gjendjen e paqëndrueshme gjeopolitike.

“Forcat pjesëmarrëse kryen stërvitje luftarake kundër nëndetëseve, për ta përmirësuar reagimin ndaj kërcënimeve nënujore prej Koresë së Veriut, përfshirë prej nëndetëseve dhe prej raketave balistike të shkrepura nga nëndetëset”, tha marina e Koresë së Jugut në një komunikatë.

Stërvitjet dyditore, të mbajtura në ujërat ndërkombëtare mes Koresë së Jugut dhe Japonisë të enjten dhe të premten, sollën së bashku aeroplanmbajtësin Theodore Roosevelt dhe shkatërruesit Howard, Russell dhe Daniel Inouye, me luftanijet nga fqinjët aziatikë.

Stërvitjet, të cilat kishin për qëllim zhvillimin e aftësive të përbashkëta për t’iu përgjigjur kërcënimeve nga Koreja e Veriut, vijnë pas një plani të përbashkët shumëvjeçar që u përpilua në një samit mes palëve vitin e kaluar, tha Koreja e Jugut.

Këto tre vende ushtruan gjithashtu mënyra se si ta bllokojnë transportin e jashtëligjshëm të armëve shkatërruese nga Koreja e Veriut, si dhe kryen stërvitje për kërkim-shpëtim.

Ndërkohë, në Uashington, zyrtarët amerikanë dhe ata jugkoreanë mbajtën bisedime vjetore për mbrojtjen të enjten, sipas Seulit.