SHBA-ja kërkon ndihmë ndërkombëtare për Ngushticën e Hormuzit

SHBA-ja po bën presion që vendet e tjera të formojnë një koalicion ndërkombëtar për të rikthyer lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, sipas një kabllogrami të Departamentit të Shtetit të parë nga Reuters.

Kërkesa vjen ndërsa çmimet e naftës janë rritur në nivelin më të lartë në më shumë se katër vjet, nga frika e ndërprerjeve afatgjata të furnizimit global me karburant.

Dy muaj pas fillimit të luftës që ka nisur me sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit, kanali detar jetësor mbetet i mbyllur, duke penguar 20% të furnizimeve botërore me naftë dhe gaz.

Kjo ka bërë që çmimet globale të energjisë të rriten dhe të shtohen shqetësimet në lidhje me rreziqet e një rënieje ekonomike.

Përpjekjet për të zgjidhur konfliktin kanë hasur në një bllokim, të cilin Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta zhbllokojnë me një bllokadë detare të eksporteve të naftës së Iranit, burimit të jetës ekonomike të vendit.

Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të informohet të enjten mbi planet për një seri sulmesh të reja ushtarake ndaj Iranit, me shpresën se vendi do të kthehet në negociata, sipas një raporti të Axios të mërkurën vonë.

Kjo nxiti rritje të mëdha të çmimeve të naftës, ku vetëm të enjten në mëngjes, nafta a papërpunuar Brent kaloi 125 dollarë për fuçi.

Që nga fillimi i vitit, çmimet e naftës janë më shumë se dyfishuar, duke u rritur të enjten në nivelin më të lartë që nga marsi 2022.

Irani është zotuar të vazhdojë të pengojë trafikun përmes ngushticës për sa kohë që ajo është e bllokuar, gjë që mund të nënkuptojë më shumë ndërprerje të furnizimit me naftë në Lindjen e Mesme nga konflikti që ka vrarë mijëra njerëz.

Teherani ka paralajmëruar të mërkurën për “veprime ushtarake të paprecedentë” kundër bllokadës së vazhdueshme të SHBA-së ndaj anijeve të lidhura me Iranin. Trumpi ka thënë se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore, ndërsa Teherani thotë se ambiciet e tij bërthamore janë paqësore.

Trump zhvilloi bisedime të martën me drejtuesit e naftës dhe “diskutoi hapat që ai ka ndërmarrë për të lehtësuar tregjet globale të naftës dhe hapat që mund të ndërmarrim për të vazhduar bllokadën aktuale për muaj të tërë nëse është e nevojshme dhe për të minimizuar ndikimin te konsumatorët amerikanë”, ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.