Merzi bën thirrje për “partneritet të besueshëm transatlantik”

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka dhënë një deklaratë të shkurtër për shtyp pas vizitës së tij në ushtrinë gjermane në Münster të enjten, prej nga ka bërë thirrje për “një partneritet të besueshëm transatlantik”, por pa dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj komenteve të Trumpit të bëra disa orë më parë lidhur me Gjermaninë.

Merzi megjithatë ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e partneritetit me SHBA-në, të NATO-s dhe të objektivave të përbashkëta transatlantike.

Kancelari gjerman ka folur gjatë për detyrën e reformimit të Bundeswehr-it (ushtrisë gjermane) në mënyrë që të jetë gati “të luftojë sonte” dhe “të përgatitet për sfidat e nesërmes dhe të ditëve në vijim”.

Ai ka theksuar vazhdimisht dhe në mënyrë të qartë përkushtimin e Gjermanisë ndaj “një NATO-je të fortë dhe të bashkuar” dhe ka përmendur bashkëpunimin e përbashkët me SHBA-në dhe aleatët e tjerë të NATO-s.

Sa i përket Iranit, Merzi ka pasur një ton dukshëm më ndryshe nga më herët gjatë javës, duke e vendosur presionin vetëm mbi regjimin dhe duke thënë se ai “duhet të ulet në tryezën e negociatave” dhe “nuk duhet më ta mbajë rajonin dhe përfundimisht botën peng” për interesat e tij.

Ai ka thënë gjithashtu se qëndrimi i Gjermanisë është në përputhje me fokusin tek “një NATO e fortë dhe një partneritet i besueshëm transatlantik,” të cilin ai theksoi se është “veçanërisht i rëndësishëm për mua”.

Deklaratat e Merzit vijnë pasi ai të hënën kishte thënë se Irani po e poshtëron SHBA-në, një koment që ka ngjallur reagimin e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili e ka kritikuar kancelarin gjerman dhe Gjermaninë në përgjithësi.

Trumpi më pas të mërkurën vonë ka deklaruar se po shqyrton tërheqjen e një pjese të trupave që SHBA-ja mban në disa baza të saj në Gjermani.