SHBA ia bën të qartë Serbisë, s’ka dialog pa njohjen e Kosovës

Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ditë më parë i ka dërguar një letër presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, përmbajtja e së cilës është zbuluar për mediat atje.

Por kjo nuk ishte e vetmja, pasi muaj më parë edhe Presidenti amerikan Joe Biden ka kërkuar një gjë të tillë nga Serbia, të ketë njohje reciproke mes dy vendeve.

Letrën e Blinken e zbuloi edhe vet presidenti Vuçiq një ditë më parë, duke thënë se thënë se mesazhi që mori nga Blinken ishte i mirë, duke mospërjashtuar këtu kërkesën për njohjen reciproke me Kosovën.

Në letrën e tij, Blinken përsëriti pikëpamjet e njohura të Uashingtonit, derisa kishte përmendur edhe çështjen e Kosovës duke theksuar se qëllimi i SHBA-ve është të shohin një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Serbisë dhe Kosovës që do të rezultojë me njohje reciproke.

Ndër tjera në letrën e Blinken drejtuar presidentit serb thuhej “Kjo do të kërkojë fleksibilitet dhe gatishmërinë e të gjitha palëve për kompromis. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve do të çojë përpara në të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit”.

Lepaja: Kjo letër e ka për qëllim të bëjë edhe më të qartë se për çka po bëhet dialogu

Analisti politik Fadil Lepaja, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se kjo letër e ka për qëllim të bëjë edhe më të qartë se për çka po bëhet dialogu.

“Është kjo një kërkesë e natyrshme dhe e ka qëllimin të bëjë të qartë se për çka bëhet dialogu. Deri tani Serbia e kishte imponuar idenë se po dialogon për tejkalimin e problemeve teknike dhe kështu të arrihet normalizimi i këtyre marrëdhënieve. Njëkohësisht për nevoja të politikës së brendshme në Serbi, kjo i shërbente idesë së dialogu po bëhet për të gjetur një formë të mbetjes së Kosovës në Serbi ose të ndarjes së saj mes Serbisë dhe Shqipërisë. Marrëdhëniet speciale Rama, Vuçiç, Thaçi shpërfaqnin këto ide”, ka thënë Lepaja.

Sipas tij, opsionet e ndryshimet të kufijve ka rënë poshtë atëherë është e palogjikshme të vazhdohet dialogu pa një njohje të njëri-tjetrit.

“Duke qenë se kanë rënë opsionet e ndryshimit të kufijve dhe me këtë edhe pazaret me territore në regjion, është e palogjikshme të vazhdohet dialogu pa një njohje të njëri-tjetrit dhe vetëm pastaj të bisedohet për ndërtimin e marrëdhënieve të reja, me standarde ndërkombëtare në mes dy fqinjëve që kanë shumë interesa të përbashkëta”, është shprehur ai.

Ai shton se marrëveshja mes dy vendeve do të hapte rrugë bashkëpunimi me interes rajonal dhe kontinental si dhe rrugën e përbashkët të integrimeve në BE.

“Kjo marrëveshje do të sigurojë bashkëpunimin në projekte me interes rajonal dhe kontinental si dhe rrugën e përbashkët të integrimeve në BE. Gjithashtu siguron qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe ideve në rajon dhe kjo është po aq në interes të Serbisë sa edhe Kosovës sepse e vë gjithë infrastrukturën ekzistuese në shërbim të gjithëve dhe stimulon investime shtesë në infrastrukturë, pra kështu e përfundon edhe luftën e korridoreve që pati kosto të madhe mes vendeve të rajonit dhe ishin kryesisht në shërbim të interesave jashtë rajonale”, ka deklaruar Fadil Lepaja për ”Bota sot”.

Mehmeti: Administrata e re amerikane do të bëj presion çdo herë e më të madh te Vuçiqi

Edhe analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se në letrën e sekretarit Blinken dëshmohet serioziteti i administratës Biden, për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë avarmit të raporteve me Serbinë.

“Administrata e re amerikane do të bëjë presion çdo herë e më të madh te Vuçiqi, tek Serbia për njohjen e Kosovës. Me letrën e sekretarit Blinken, dëshmohet serioziteti i administratës Biden për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë avarmit të raporteve me Serbinë. Vetëm pavarësia e Kosovës qetëson rajonin, por mbi të gjitha edhe vet Serbinë”, ka thënë Mehmeti.

Më tej, ai ka theksuar se Vuçiqi ka presion të madh nga brenda, ashtu si edhe nga SHBA dhe për këtë ka shumë mundësi që Vuçiqi edhe të ofrojë dorëheqje.

“Kjo e fundit s’ka rrugë tjetër pos njohjes, e cila do të ndodh një ditë. Duket se Vuçiqi ka presion të madh nga brenda, ashtu si edhe nga SHBA. Me vazhdimin e presionit të madh, ka shumë mundësi që Vuçiqi edhe të ofrojë dorëheqje. Besoj se SHBA do të inkuadrohet edhe më shumë në dialogun Kosovë Serbi, si garantuesja e vetme për një përfundim të duhur, që është me njohjen”, ka deklaruar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Bujrani: SHBA janë me ne, miku jonë më i madh

Kurse, njohësi i çështjeve politike Blerim Burjani, bën thirrje për Qeverinë aktuale që të bashkëpunojë me SHBA-të, për të sinkronizuar aktivitet për të përmbyllur këtë kapitull me Serbinë.

“SHBA-të janë me ne, miku jonë më i madh. Qeveria aktuale duhet të bashkëpunojë ngushtë me SHBA-të të koordinohet dhe të gjendet një zgjidhje, pra kërkohet fleksibilitet, koperativitet, për të sinkronizuar aktivitetet tona për të përmbyllur këtë kapitull të një historie shumë vjeçare konkltuoze me Serbinë”, ka thënë Blerim Burjani për “Bota sot”.