SHBA do të zvogëlojë ushtarët në Irak në muajt e ardhshëm

SHBA është dakorduar të zvogëlojë forcat e saj në Irak gjatë muajve të ardhshëm, theksohet në deklaratën e përbashkët të lëshuar sot nga të dy qeveritë.

Deklarata e përbashkët u lëshua në fund të dialogut strategjik të zhvilluar të enjten midis dy vendeve përmes video konferencës.

“SHBA po ashtu do të vazhdojë të zhvillojë dialog me qeverinë e Bagdadit për statusin e forcave të mbetura”, thuhet në deklaratë.

Ky hap vjen në dritën e zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale të sigurisë bazuar në interesat e ndërsjella.

Marrëveshja, megjithatë, nuk zbuloi detaje në lidhje me numrin e trupave që do të zvogëlohen dhe periudhën e nevojshme për zbatimin e tërheqjes.

Sipas deklaratës, SHBA pohoi se nuk kërkon baza të përhershme ose një prani të përhershme ushtarake në Irak, siç u dakordua në Marrëveshjen Kornizë Strategjike të vitit 2008 midis dy vendeve.

Qeveria irakiane, u zotua të “mbrojë forcat ushtarake të koalicionit ndërkombëtar dhe objektet irakiane që i mirëpresin”.

SHBA afirmoi mbështetjen e saj për Irakun, qeverinë e re dhe ndihmën në zbatimin e programit të saj reformues në një mënyrë që plotëson aspiratat e njerëzve.

Po ashtu do të sigurojë këshilltarët ekonomikë në Bagdad për të punuar drejtpërdrejt me qeverinë.

Nga ana e tij, kryeministri i Irakut, Mustafa al-Kadhimi, tha se “tërheqja amerikane nga Iraku është konfirmuar për të gjithë ata që janë të pranishëm dhe se nuk ka rregulla”.

Ai për Agjencinë Zyrtare irakiane të lajmeve konfirmoi se “dialogu strategjik midis dy vendeve është në përputhje me vendimin e parlamentit për tërheqjen e forcave të SHBA-ve”.

Në fund të vitit 2011, trupat amerikane u larguan nga Iraku plotësisht, pas tetë vitesh okupimi si pasojë e përmbysjes së regjimit të Saddam Hussein në vitin 2003.

Me shfaqjen e grupit terrorist DEASH, forcat amerikane u kthyen në Irak në vitin 2014. Rreth 5,000 ushtarë amerikanë u vendosën në bazat ushtarake në të gjithë Irakun, si pjesë e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA për të luftuar terroristët.

Nuk ka statistika të fundit lidhur me forcat që janë aktualisht të pranishme në Irak.