25.11.1924 – 28.11.2011
Ante Markoviq lindi më 25 nëntor të vitit 1924, në Konjic. Ai ishte një nga politikanët e rrallë të historisë jugosllave të fundit të viteve ’80 dhe fillimit të viteve ’90, që autoritetin e tij politik e ndërtoi mbi rezultatet ekonomike dhe jo mbi fjalimet nacionaliste të mbushura me urrejtje.
Në moshën 16-vjeçare iu bashkua Lidhjes së Rinisë Komuniste të Jugosllavisë (SKOJ), ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore mori pjesë në lëvizjen partizane. Pas luftës diplomoi në elektroteknikë në Zagreb dhe nisi karrierën profesionale në fabrikën “Rade Konçar”, duke përparuar nga një projektues i thjeshtë deri në pozitën e drejtorit të përgjithshëm.
Një e dhënë interesante vjen nga arkivi i Bankës Botërore i vitit 1970. Nën drejtimin e Markoviqit, ndërmarrja “Konçar” kishte që atëherë 14 fabrika dhe mbi 13.000 punonjës. Produktet e saj eksportoheshin nga Suedia dhe Zvicra deri në Bashkimin Sovjetik, Etiopi dhe Indi. Të ardhurat e ndërmarrjes, ndërmjet viteve 1965 dhe 1969, ishin më shumë se trefishuar.
Para se të bëhej kryeministër i Jugosllavisë, Markoviq kishte drejtuar Qeverinë e Kroacisë, ndërsa më pas kishte ushtruar funksionin e kryetarit të Kryesisë së Republikës Socialiste të Kroacisë.
Reformat ekonomike dhe dinari i konvertueshëm
Në mars të vitit 1989, ai mori drejtimin e Qeverisë së Jugosllavisë, një vend i rënduar nga borxhet, inflacioni dhe nacionalizmi në rritje. Periudhën që pasoi, shumë qytetarë edhe sot e kujtojnë si një nga periudhat më të mira ekonomike të Jugosllavisë.
Markoviq arriti ta frenonte hiperinflacionin, vendosi dinarin e konvertueshëm dhe përcaktoi kursin e këmbimit prej shtatë dinarësh për një markë gjermane.
Fuqia blerëse u rrit, tregu u hap, ndërsa qytetarët mund të planifikonin sërish blerjen e automobilave, udhëtimet dhe pushimet verore, pa frikën se inflacioni do t’ua zhvlerësonte pagat brenda natës.
Ishte një periudhë e shkurtër, gjatë së cilës Jugosllavia përjetoi sërish një standard të lartë jetese.
Për popullaritetin e Markoviqit në atë kohë dëshmon edhe një sondazh i gazetës “Borba”, i realizuar në maj të vitit 1990, sipas të cilit 72 për qind e qytetarëve e vlerësonin atë si politikanin më pozitiv.
Përplasja e reformave ekonomike me nacionalizmin
Por, ndërkohë që Markoviq përpiqej ta afronte ekonomikisht Jugosllavinë me Evropën, udhëheqjet politike të republikave po e largonin gjithnjë e më shumë vendin nga mundësia e një të ardhmeje të përbashkët.
Në dhjetor të vitit 1990, autoritetet e Serbisë ndërhynë në mënyrë të njëanshme në fondet e sistemit monetar jugosllav, duke minuar rëndë programin e tij të stabilizimit ekonomik.
Më pak i njohur është fakti se, më 7 tetor 1991, Markoviq, së bashku me Stjepan Mesiqin dhe Franjo Tugjmanin, i mbijetoi bombardimit të selisë së Qeverisë kroate, “Banski Dvori”.
Më 20 dhjetor 1991, ai dha dorëheqjen, duke refuzuar të pranonte buxhetin federal që parashikonte shpenzime të jashtëzakonshme ushtarake.
Pas tërheqjes nga politika, iu rikthye sipërmarrjes, ndërsa më vonë shërbeu edhe si këshilltar ekonomik i Qeverisë së Maqedonisë.
Vdiq në Zagreb, më 28 nëntor 2011, në vitin e 88-të të jetës.
Tragjedia historike e Ante Markoviqit
Tragjedia historike e Ante Markoviqit qëndron në faktin se ai përpiqej të ndërtonte një shtet modern, prosperues dhe ekonomikisht të zhvilluar, pikërisht në kohën kur të tjerët po ndërtonin të ardhmen e tyre politike mbi rrënimin e tij.
Ndërkohë që ai u ofronte qytetarëve një monedhë të qëndrueshme, integrim evropian, të drejta pronësore për punëtorët dhe një standard më të lartë jetese, nacionalistët u ofronin flamuj, armiq dhe territore.
Se cila prej këtyre filozofive triumfoi në fund, e dimë mirë.
Lufta, gjaku, nazizmi dhe marrëzia e nacionalizmit.



