SHBA do të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi, analisti nga Gjermania tregon qëllimet e këqija që kishin Thaҫi e Rama

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është i gatshëm të përfshihet edhe personalisht në dialogun Kosovë-Serbi nëse është nevoja edhe para datës 1 shtator, kur pritet të nis masa e reciprocitetit të Kosovës ndaj Serbisë.

Lidhur me këtë ҫështje, ka komentuar njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj. Ai thotë se, derisa Evropa dështoi në normalizimin dhe njohjen reciproke Kosovë-Serbi, pikërisht, për mungesë serioziteti të BE-së dhe lëshimet e hapura të bëra Serbisë, me qëllim të shkëputjes nga Rusia. Këtë gjë e di Serbia, andaj kërkon favore, në dëm të Kosovës, madje deri ke Asociacioni me kompetenca ekzekutive, për ta realizuar një “Republika Srpska” në Kosovë, njësoj si në Bosnje.

“Pushtetarët e së djathtës të Kosovës, në vazhdën e miqësisë të sinqertë të Presidentit Rugova, gjithherë, ka potencuar nevojën imediate të SHBA-së, në çështjen e dialogimit me Serbinë. Ndërkohë, e majta e Kosovës është e një orientimi tjetër dhe ka miqësira tjera. Presidenti Obama nuk pati ndonjë interesim domethënës për Kosovën. Pasuesi Trump, edhe pse republikan, stafi në administratën e tij ishin miq e dhëndurë të Serbisë. Me kërkesën e Thaçi-Vuçiq, aprovuan dhe punuan për ndarjen e Kosovës. Kundërshtia e Kancelares Angela Merkel, që të mos hapet “Kutia e Pandorës”; një letër e personaliteteve amerikane, në mes tyre edhe lobues, për zgjedhjen e tij president, i bënë thirrje t`i shkarkojë këshilltarët pro-serb dhe të mos e lejojë cenimin e sovranitetit të Kosovës, popullit më pro-amerikan në botë; intelektualë e gazetarë shqiptarë, anekënd botës, reaguan me dhimbje e zemratë, për intrigat e konsiracionet mafioze të pushtetarëve në Prishtinë e Tiranë, të cilët “u zunë me pelë për dore”, duke paguar lobimin e ndarjes të Kosovës, një agjencie të specializuar për lobime në Paris! Dhe, të gjitha këto e zvarritën epilogun e ndarjes, ndërkohë arrestimi i Hashim Thaçit, me shokë, prishi “llogaritë pa hanxhinë” dhe, aktualisht, Kosova i shpëtoi ndarjes, nga bijtë e saj horra e bastardë”, vlerësoi Zeqiraj për ‘Bota sot’.

Ai thotë më tutje se, administrata e presidentit Biden, ka një qasje ndryshe dhe serioze, për zgjidhjen e problemeve të stisura serbo-shqiptare. Duke e pritur në Shtëpinë e Bardhë, presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, sekretari Blinken tha se “nuk mund të ketë shtet brenda shtetit”, fjala ishte për paligjësinë dhe pamundësinë e krijimit të Asociacionit me kompetenca ekzekutive”! Megjithatë, emisari Gabriel Escobar e ritheksoi se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara, por, të pazbatuara, duhet të pranohen nga të dy palët, Kosovë-Serbi, pa specifikuar llojin e Asociacionit.

“Ndërsa për Reciprocitetin i dha të drejtë kryeministrit Kurti, ngaqë kërkesa serbe, për të livadhisur me laramani targash në Kosovë, është paradoks i presidentit Thaçi, rrast të shantazhuar dhe turpshëm bashkëpunues i Vuçiqit, Edvin Ramës me kompani! Tashmë, është provuar se BE-ja dështoi në zgjidhjen e problemeve Kosovë-Serbi. Angazhimi i SHBA-së është i domosdoshëm në procesin e ndërlikuar të dialogimit, sepse Serbia trimërohet nga miqësia dhe lidhjet sllaviste me Rusinë, mbështetëse historike e Serbisë ndër shekuj. Kosova është në udhëkryqin e madh historik të saj dhe rrugëtimi pa cenuar sovranitetin, deri në hyrjen në NATO-paktin, do të ishte shpëtimi dhe siguria e saj. Bashkimi perspektiv i shqiptarëve në Ballkan, do të balanconte forcat, në çfarëdo përballje, në të ardhmen, me Serbinë armike”, thekson ai.

Zeqiraj thotë se, edhe KFOR-i, me rezolutën e famshme 1244, të KS të OKB-së, tashmë e demoduar, i cili ka bërë sehir, në stilin holandez në Srebrenicë, uroj të jetë këndellur, nisur edhe nga deklarimi publik se “jemi këtu për të garantuar lëvizjen e lirë dhe sigurinë e njerëzve”, nuk do të tolerojmë bllokimet kriminale, duke sfiduar e provokuar jo vetëm Qeverinë dhe popullin e Kosovës, por, edhe BE-në e NATO-n!

“Kjo organizatë e sigurisë botërore, është në gjendje, me tanket e saj, t`i hedhë në Greminë të gjitha makineritë, me ngarkesë, apo pa atë. Mesazhi është qartësisht i lexueshëm: Çfarëdo shtyrje të afatit, për Reciprocitetin, do të ishte dobësi dhe dorëzim, para bandave serbo-sllave, me frymëzime nacional-fashiste, nga Serbia dhe Rusia, me aleatë. “Kthim prapa nuk ka”, siç u thoshte ushtarakëve të karrierës, FARK-ut, në vitin 1998, në një takim në Zvicrën helvetike, Presidenti Rugova, kur kryezyrtarët social-komunistë i kërcënuan ata “të largohen nga Shqipëria, ose do të vriten”, vlerëson ai.

Sipas Zeqirajt, një alternativë e pranueshme për Kurtin dhe Qeverinë e tij, do të ishte lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë, me letërnjoftime apo pasaporta, shpengueshëm, duke aplikuar vetëm kontrollin e përshpejtuar rutinor. Ndërsa çështja e targave nuk ka alternativë, përveç zbatimit pa kushte, siç ka vendosur, dinjitetshëm, Qeveria Kurti.

“Racistët pushtetarë të Beogradit duhet të vihen para përgjegjësisë, për torturën burokratike e poshtëruese, të bërë ndaj qytetarëve të Kosovës, me fletë e pagesë, në kalim kufiri, një krim që përsëritet përtej dekadës në kufirin shqiptaro-serb. Një turp shtesë është edhe moslejimi i kalimit përmes Serbisë, nëse shqiptarët kanë hyrë në Kosovë nga ndonjë kufi tjetër. Atëherë, qoftë një person ka hyrë nga një rrugë tjetër, e gjithë familja detyrohej të kthehej prapa, për ta bërë rrugëtimin e gjatë, për Shqipëri-Maltë Zi-Kroaci… Dhe, me gjithë këtë poshtërim të shqiptarëve, nuk i pengonte Thaçin e Ramën, në miqësinë e përzemërt me Vuçiqin”, thotë Zeqiraj për ‘Bota sot’.