SHBA: Demokratët të përgatitur për “super të martën”

Periudha e para zgjedhjeve për Partinë Demokratike sot hyn në fazë të rëndësishme, pasi me votimin në serinë e shteteve federale amerikane do të zgjidhen një e treta e delegatëve të cilët më vonë vendosin kush do të hyjë në garën për president të SHBA-së.

Në garën për kandidat të demokratëve se kush do t’i kundërvihet presidentit të SHBA-së, Donald Tramp në zgjedhjet e 3 nëntorit, kanë ngelur gjashtë politikanë, ish-nënpresidenti i SHBA-së, Xhozef Bajden (77), senatori i Vermontit, Berni Sanders (78), miliarderi Majk Blumberg (78), senatoret e Masaçusetsit dhe Minesotës, Elizabet Voren (70) dhe kongresistja Talsi Gabard (38).

Pas fitores bindëse të Bajdenit në zgjedhjet në Karolinën Jugore të shtunën, nga gara në mënyrë të papritur u tërhoq edhe ish-kryebashkiaku i Sauth Bend, Pit Butixhixh (38), ndërsa dje edhe Emi Klobuçar.

Demokratët sot votojnë në 14 shtete federale, Kaliforni, Juta, Kolorado, Oklahoma, Teksas, Minesota, Arkanzas, Tenesi, Alabama, Karolina e Veriut, Virxhinia, Masaçusets, Vermont dhe Mejn dhe në territorin amerikan, Samoa amerikane.

Rëndësia e “super të martës” qëndron në atë që në këto 14 shtete dhe një territor i zgjedhin 1.344 prej 3.979 (34 për qind) delegatë të cilët në Konventën kombëtare demokrate prej më 13 deri në 16 korrik në Milluoki, do të vendosin për kandidatët partiakë për president dhe nënpresident të SHBA-së.

Zgjedhjet brendapartiake për delegatë deri më tani janë mbajtur në katër shtete federale amerikane, Ajova, Nju-Hempshir, Nevada dhe Karolinën e Jugut, ku gjithsej janë zgjedhur 155 delegatë.

Për momentin prin Sanders me së paku 58 delegatë të fituar, pas tij është Bajdeni (së paku 50), ndërsa më pas pasojnë Butixhixh (26), Voren (tetë) dhe Klobuçar (shtatë)./mia