“Reketi”, sot pritet të dëshmojë Sergei Varoshlija

Pas dy anulimeve gjatë javës së kaluar për shkak të mungesës së dëshmitarëve, Vlladimir Todoroviq dhe Dejan Pandeleski, sot në Gjykatën Penale duhet të vazhdojë gjykimi për rastin “Reket” ku të akuzuar janë Bojan Jovanovski- Boki 13 dhe Katica Janeva dhe Zoran Milevski.

Në seancën e sotme deklarata do duhet të japin dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja e Boki 13.

Mes emrave që pritet të dëshmojnë është miku i Boki 13, Sergei Varoshlija, si dhe ish kryetari i komunës Qendër Vlladimir Todoroviq, i cili duhej të dëshmontre javën e kaluar, por dërgoi njoftim se është në udhëtim pune. Dejan Pandelski, djali i biznesmenit të dyshuar në “Perandoria”, Cvetan Pandelski, gjithashtu duhej të dëshmonte, por as ai nuk u paraqit në Gjykatë, kështu që dëshmia e tij u shty për këtë javë.

Boki 13 deri më tani ka propozuar 12 dëshmitarë, prej të cilëve deri më tani ka dëshmuar vetëm Vasil Dimishkov, vëllai i gjyqtares Vesna Dimishkova.

Siç njoftoi Trupi gjykues, seancat për “Reketin” janë caktuar deri më 10 prill. Sipas renditjes së seancave, gjykimi do të vazhdojë edhe gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhje të parakohshme parlamentare të caktuara më 12 prill.

Prokuroria Themelore Publike për përndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në tetor të këtij viti shtroi aktakuzë kundër Bojan Jovanovskit, Katica Janevës dhe Zoran Milevskit.

I akuzuari i parë Jovanovski dyshohet se ka kryer vepër penale “larje parash dhe të ardhura të tjera si vepër penale”, ndërsa Janeva dhe Milevski për “pranimin e shpërblimit për ndikim të jashtëligjshëm”. E akuzuara e dytë, Janeva ngarkohet edhe se ka kryer vepër penale “keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe autorizimit”.

Në seancën e parë për rastin “Reket”, që u mbajt më 3 dhjetor vitin e kaluar, i akuzuari i tretë Zoran Milevski-Kiçeec e pranoi fajin për veprën “pranim i shpërblimit për ndikim të jashtëligjshëm”, me ç’rast u dënua me tre vjet burg.