Shaqiri nuk u paraqit në Shuto Orizarë! A po i shmanget ministri komunave që nuk udhëhiqen nga BDI?

Ministri i Arsimit dhe Shkencës sot nuk u paraqit në ngjarjen e paralajmëruar në shkollën “26 Korriku” në Shuto Orizarë, përcjell TV21. I pyetur nga TV21 nëse ai po i shmanget komunave të cilat nuk drejtohen nga BDI, Shaqiri tha se një gjë e tillë nuk qëndron dhe se për të njëjtën temë është mbajtur ngjarje në një hotel, ku MASh është përfaqësuar nga Elizabeta Naumovska, drejtoreshë e Qendrës Shtetërore për Provime.

“Unë do të shkoj edhe në Komunën e Tetovës, ashtu siç kam qenë në shumë komuna tjera. Në Ohër, qytete të cilat nuk udhëhiqen…në Manastir. Po varësisht agjendës, më besoni jam falënderues në ndihmën të cilën kanë dhënë për realizimin e projektit zv/ministri she sekretari shtetërore. Sot në Shuto Orizarë, kemi pasur prezencën në një projekt të rëndësishëm i cili në të njëjtën kohë në “Aleksandar Palas”, ka qenë përfaqësuesja e Drejtorisë së Qendrës për realizimin e Provimeve e cila na ka përfaqësuar ne si Ministri në atë takim. Nuk ka asnjë problem tjetër”, tha mes tjerash Shaqiri.

Ndryshe, MASh për sot kishte paralajmëruar vizitë të ministrit Shaqiri dhe drejtoreshës Naumovska në SHFK “26 Korriku” në Komunën e Shuto Orizarës, e cila është një nga shkollat fillore në shtet ku po zbatohet testim provues TIMSS, për herë të parë në mënyrë elektronike. Bëhet fjalë për aktivitetet përgatitëse me qëllim të pjesëmarrjes së Maqedonisë së Veriut në testimin kryesor të studimit ndërkombëtar TIMSS që do të zbatohet në vitin 2023, ndërsa përmes të cilit kontrollohen dituritë e nxënësve nga klasa e katërt për matematikë dhe shkenca natyrore.