Shaqiri: Fjala e SASHK-ut nuk zgjati as edhe 24 orë, u bëjmë thirrje prindërve që nga nesër fëmijët ti dërgojnë në shkollë

Sipas ministrit, Jeton Shaqiri, fjala e SASHK-ut nuk zgjati as edhe njëzet e katër orë. Vendimi i kryesisë sindikale sot ka ndryshuar në dëm të të rinjve tanë, nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme.

“Ministria e arsimit dhe shkencës vlerëson se deri më tani është humbur shumë mësim dhe kjo gjë duhet të ndalet. Hendeku i njohurive i krijuar nga kjo grevë duke bllokuar plotësisht punën e shkollave është mjaft i madh dhe nuk duhet të thellohet më”, shprehet Shaqiri.

Ai fton drejtorët e shkollave, si përgjegjës për organizimin e punës së këtyre institucioneve arsimore, që nga nesër t’i hapin dyert e shkollave dhe të vazhdojnë me organizimin e mësimit në përputhje me ligjet për arsimin fillor dhe të mesëm. Ata kanë kompetenca dhe janë përgjegjës për mosveprimin e tyre.

“Gjithashtu u bëjmë thirrje prindërve/kujdestarëve të nxënësve që nga nesër të vazhdojnë dërgimin/sjelljen e fëmijëve në shkollë. Ata janë më së paku fajtorë për humbjen e orëve për shkak të mungesës së seriozitetit të një organizate, por mund të ndihmojnë shumë në normalizimin e situatës”, shprehet Shaqiri.

Në fund  ai thotë se duhet t’i japim fund këtij kapitulli të keq të këtij viti shkollor dhe t’u japim fëmijëve një të ardhme.

“Shumë prej tyre janë në pritje të regjistrimit në shkolla të mesme apo fakultete. Shumë kanë vendosur të punësohen pas mbarimit të shkollës së mesme, por është e pasigurt nëse diplomat do të jepen në kohë. Le të mos shkatërrojmë planet dhe pritjet e tyre. Të gjithë kemi përgjegjësi!, ka shkruar Jeton Shaqiri Ministri i Arsimit në rrjetin social facebook.