Sezoni i ri në Kodrën e Diellit, me problemet e vjetra

Aleanca për shqiptarët ka reaguar sërish ndaj lënies pas dore të kodrës së Diellit nga ana e Elem Turs dhe Qeverisë, duke bërë madje që, ky sezon të fillojë me problemet e vjetra. Kreu i degës së ASH për Tetovën Altrim Mamuti tha se, edhe pas gati një dekade nga fillimi i punimeve për teleferikun me gjashtë ulëse, ende nuk dihet nëse i njëjti do të funksionojë apo jo këtë sezon, ndërsa ka kritikuar funksionarët shqiptarë të qeverisë, se këtë teleferik e shfrytëzuan vetëm për të bërë marketing. Mamuti ka akuzuar funksionarët e Qeverisë Zaev se, kur është në pyetje Kodra e Diellit, ata nuk merren aspak me këtë temë sepse, sipas tij, të njëjtët, pushimet dimërore i bëjnë jashtë shtetit.

Infrastruktura në kodrën e Diellit, në prag të fillimit të sezonit turistik mbetet në gjendje të mjerueshme, pa vende për parking, me kanalizim që përfundon nëpër rrugë dhe me infrastrukturë hotelerike të kohës së shokut Tito, gjë kjo që, tregon se, vizitorët e Kodrës së Diellit, edhe sivjet, për ta vizituar këtë pikë turistike, makinat e tyre duhet t`i lënë në fshatin Lisec dhe të vazhdojnë në këmbë për në Kodër të Diellit- dekaroi Altrim Mamuti, ASH.