Serbia pro-ruse duhet goditur fuqishëm nga BE-ja dhe SHBA-ja / Sanksione dhe përjashtime

Derisa nëntë eurodeputetë kërkojnë sanksione ndaj Serbisë, për shkak të shkeljes së marrëveshjeve dhe obligimeve të paraanëtarësimit në BE, Shqipëria, po e bën të kundërtën, krzeministri Edi Rama, po e merr në mbrojtje, nëpërmjet të ashtuquajturit “Ballkani i hapur”.

Nisma për sanksionimin e Serbisë u nxit nga refuzimi i saj për t’iu bashkuar BE-së dhe Perëndimit, për t’i vënë sanksione Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, ku veç tjerash po akuzohet se po kryen krime lufte.

Edi Rama po mundohet ta paraqet Serbinë para botës si një shtet, që po ecën përkrah Perëndimit duke e kundërshtuar pushtimin e Ukrainës, duke u bërë qesharak në përpjekjen e tij të gënjeshtërt.

Madje të martën u mundua t’ia prezantonte botës se si Serbia po i respekton marrëveshjet e “Ballkanit të hapur”, dhe ka lejuar eksportet e grurit dhe misrit në Shqipëri, realizimin e kontratave të bizneseve, të bëra para fillimit të luftës së Ukrainës.

Madje ai fliste marrëzisht për Ballkanin e hapur, derisa Borell fliste për përshpejtimin e procedurave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, pas të cilit hap nuk ka asnjë pikë kuptimi të flitet për procese si “Ballkani i hapur”.

Për shkak të mos vendosjes së sanksioneve ndaj shtetit rus, ndërkombëtarët kanë filluar me kritika dhe paralajmërime për sanksione ndaj shtetit serb.

Nëntë eurodeputetë nga grupi liberal Renew Europe kanë kërkuar një ngrirje të përkohshme të negociatave me Serbinë dhe ndalimin e ndihmës financiare të BE-së derisa vendi të përafrohet me pozicionin e BE-së ndaj Rusisë.

Eurodeputetët këtë kërkesë e adresuan përmes një letre, të cilën ia dërguan presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell.

Në letër, eurodeputetët thonë se Serbia po tregon “një lëvizje të rrezikshme drejt autoritarizmit” që është në kontrast të fortë me aspiratat e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Kjo është arsyeja pse ne i bëjmë thirrje Komisionit që të ftojë edhe një herë autoritetet serbe që t’i bashkohen qëndrimit të përbashkët të BE-së për Rusinë. Nëse Serbia vendos edhe një herë të injorojë këtë thirrje, ne kërkojmë një ngrirje të përkohshme të bisedimeve për anëtarësim në BE me qeverinë serbe dhe mohojmë mbështetjen financiare të BE-së për të, derisa ajo të ndërmarrë veprime të besueshme, të prekshme dhe të qarta për të harmonizuar deklaratat, politikat dhe vlerat e saj me Bashkimin Evropian”, thuhet në letër.

Megjithatë, ata ia bënë me dije Serbisë që ka çdo të drejtë të ndjekë modelin e Putinit, por duhet të jetë e qartë në synimet e saj dhe të mos pretendojë se ka aspirata serioze për anëtarësim në BE.

Mehazi: Evropa e kuptoi me vonesë, vetëm pasi Rusia pushtoi Ukrainën

ImageProfesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman MehaziFOTO GALERI
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në prononcimin e tij për “Bota sot” e vlerëson pozitive kërkesën për ngrirjen e negociatave të BE-së me shtetin serb.

Ai thotë se vetëm lufta e Rusisë e zgjoi nga gjumi Evropën dhe e vetëdijësoi nga rreziku i madh serbo-rusë.

“Letra e nëntë deputetëve të Komisionit Evropian për ngrirjen e përkohshme të negociatave me Serbinë dhe ndalimin e ndihmës financiare të BE-së ndaj Serbisë, derisa qëndrimet e presidentit Vuçiq dhe qeverisë së Brnabiqit të largohen nga Rusia, e të përafrohen me pozicionin e BE-së, është për t’u përshëndetur, dhe ja më në fund është dashur që Rusia t’ia nis luftës në Ukrainë e Parlamenti Evropian të zgjohet nga gjumi e të vetëdijesohet nga ky rrezik i madh sllavo-serbo-rusë”, deklaroi profesori.

Sipas Mehazit, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, BE-ja ka filluar t’i shoh më qartë veprimet pro-ruse serbe jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe në tërë rajonin e Ballkanit.

“Siç shihet shtetet e fuqishme evropiane gjatë paqes e miklonin Serbinë, kurse në anën tjetër një liberalizim të vizave nuk ua jepnin qytetarëve të Kosovës, tani vërehet se BE-ja nga rreziku i luftë së Rusisë në Ukrainë kanë nisur t’i shohin më mirë e më qartë veprimet pro-ruse serbe jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj tërë shteteve ballkanike. Për fat të keq është dashur që Rusia të hyjë në luftë në Ukrainë e të favorizohet Kosova e të anulohet procesi i anëtarësimit të Serbisë nga deputetët e Parlamentit Evropian, sanksionet evropiane ndaj Serbisë jo që do ta shpejtojë procesin e dialogut përfundimtar Kosovë-Serbi, po marrëveshje duhet të përfundojë në dobi të Kosovës”, nënvizoi ai.

Më tej, profesori konsideron që kjo letër e detyron edhe Edi Ramën që t’i vë sanksione mikut të tij Vuçiqit.

“Agresioni rus në Ukrainë dhe letra e nëntë deputetëve në Komisionin Evropian kundër Serbisë e detyron edhe qeverinë e Shqipërisë së Edi Ramës të merr masa sanksionuese kundër mikut të tij ideologjik Vuçiqit, po dhe Qeveria e Kosovës duhet vepruar në të njëjtën rrugë diplomatike të nëntë deputetëve evropian. Megjithatë, pozicioni politik e diplomatik i Kosovës dihet me kohë se është kundër Serbisë, problemi më i madh i sanksioneve kundër Serbisë është me qeverinë e Shqipërisë me Edi Ramën”, thotë ndër të tjera Mehazi.

Krejt në fund, ai thotë se veprimi më i mirë i Qeverisë së Shqipërisë do të ishte prishja e marrëveshjes së “Ballkanit të hapur” me Serbinë.

“Vlen të përmendim se gjëja më e mirë e qeverisë së Edi Ramës ndaj sanksioneve serbe do të ishte prishja e marrëveshjes së Ballkanit të Hapur me Serbinë që do të ishte një grusht i madh politik e diplomatik ndaj Serbisë. Fatkeqësisht kryeministri, Edi Rama, nuk mund t’ia prishë qejfin Vuçiqit për shkak se bindja politike e tij ndaj “Ballkanit të hapur” është më e vlefshme se sa mos tradhtimi i atdheut”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Mehmeti: Serbia kjo Rusi e vogël në Ballkan duhet frenuar me të gjitha format

ImageAnalisti politik, Faton MehmetiFOTO GALERI
Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në prononcimin e tij për gazetën “Bota sot thotë se Bashkimi Evropian do të duhej ta merrte vendimin për ngrirjen e negociatave me Serbinë shumë kohë më parë.

“BE-ja ende s’ka marr vendim për ngrirjen e negociatave me Serbinë, edhe nëse e merr është i vonshëm. Është dashur shumë moti që një vendim të tillë ta ndërmerr BE-ja, me Serbinë që gjithnjë ka shfaqur afërsi me politikën ruse, politikë që prodhon agresion, dhunë dhe luftë”, deklaroi ai.

Pavarësisht kësaj, Mehmeti u shpreh se ngrirja e negociatave me Serbinë duhet të bëhet, pasi shteti serb ka dëshmuar disa herë se vetëm forca e frenon nga orekset e saj.

“Megjithatë, edhe pse vonë, BE-ja duhet ta ndërmarrë një hap të tillë, Serbia kjo Rusi e vogël në Ballkan duhet frenuar me të gjitha format. Serbia ka dëshmuar disa herë se vetëm forca e frenon nga orekset e saj për gjakderdhje. Serbisë duhet t’i vihet kusht: me BE-në ose me Rusinë, s’mund të flirtoj me BE-në dhe të mbështes Rusinë në çmenduritë e saj për luftë”, theksoi analisti.

Në fund, ai kërkoi që Kosova dhe Shqipëria të rreshtohen krah Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

“Krahas saj, Kosova dhe Shqipëria të hartojnë politika të përbashkëta duke u rreshtuar krah SHBA-së dhe BE-së, derisa të goditet pozicioni i Serbisë për të përfituar sa më shumë”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.