Sela e Gashi takohen në Kuvend

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe ai i Alternativës Afrim Gashi janë duke zhvilluar një takim në Kuvend lidhur me bashkëpunimin për zgjedhjet e 12 prillit, merr vesh gazeta LAJM. Nuk behen të ditura detajet e këtij takimi, e nuk jepen as informacione shtesë nëse kreu i ASH-së do të takojë gjatë ditës edhe drejtuesin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami. Gazeta LAJM, do te tentoje t’i intervistojë Selen dhe Gashin pas takimit, per te mesuar se cfare eshte vendosur mes ketyre dy partive.
Pak orë më parë, në një prononcim për media, Sela tha se ende nuk ka marrë përgjigje nga Lëvizja BESA dhe Alternativa për bashkëpunimin trepalësh, megjithatë, ai u shpreh se po bën gjithçka për bashkuar votat e shqiptarëve dhe për të sjellur ndryshimin më 12 prill.
“Aleanca për Shqiptarët pa asnjë dilemë është duke bërë gjithçka që të ketë koalicione dhe në funksion të kësaj janë edhe lëvizjet politike të cilat neve i bëjmë. Ne prej në fillim kemi qenë shumë të qartë në lidhje me këtë çështje, nuk bëhet fjalë për gjë tjetër vetëm se ne duam të maksimizojmë dhe të bashkojmë sa më tepër votat e shqiptarëve dhe këtë do ta arrijmë.
Koalicioni më kuptimplotë dhe më i rëndësishëm është koalicioni me opozitarin e vërtetë, qytetarët; të cilëve çdo vendim i qeverisë u bie në kurriz qoftë duke i lehtësuar apo rënduar ata.
Aleanca për Shqiptarët çdo herë ka qenë faktor unifikues, dhe mundohemi që të rikthejmë shpresën e humbur tek qytetarët e jo zhgënjimin e radhës. Ndryshimi me Aleancën për Shqiptarët, më 12 prill është i sigurt”, u shpreh Sela./Gazeta LAJM