Sekuestrohet 2.2 ton kokainë në Kolumbi/ Kontejneri po shkonte në Holandë, droga do shpërndahej në Evropë e Shqipëri

Policia kolumbiane ka arritur të konfiskojë në portin turistik të Cartagena de Indias, në veri të Kolumbisë 2279 kilogramë kokainë.

Agjentët e gjetën drogën të fshehur në pako, brenda një kontejneri që po shkonte në qytetin holandez të Roterdamit.

Alarmet u shkaktuan për shkak të një sërë parregullsish në dokumentacionin e mallit përpara se të dërgohej.

Falë kësaj dhe një skaneri që më pas kontrolloi kontejnerin, policia zbuloi pakot e kokainës.

 

Konfiskimi i kokainës i ka shkaktuar një humbje afro 100 milionë dollarë trafikantëve të drogës.

“Kjo drogë mund të shpërndahej në tregjet e Turqisë, Spanjës, Italisë dhe Shqipërisë”, thotë Ricardo Alarcón, drejtor i Njësisë Kundër Drogës.

Deri më tani, gjatë 2021 autoritetet kolumbiane kanë sekuestruar më shumë se 302 ton drogë.