Seanca ndaj Sali Mustafës, paraqitet dëshmitari parë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Sali Mustafa.

Në këtë seancë është paraqitur dëshmitari i parë, i cili sikur të gjithë të tjerët që do të dëshmojnë kundër Mustafës është shqiptar.

Kryetarja e trupit gjykues në këtë rast i kumtoi të njëjtit disa rregulla bazë të procedurës që do të zhvillohet dhe kushtet në të cilat ai do ta japë dëshminë e tij.

Sipas saj kur dëshmitari ka për të përshkruar në veçanti elemente që kanë të bëjnë me të,dhe që rrezikojnë zbulimin e identitetit të tij atëherë do të kalohet në seancë të mbyllur.

“Emri yt real nuk do të përmendet asnjëherë, do të të thërrasim gjithnjë me zoti dëshmitar që publiku të mos ta marrë vesh emrin. Dëshmia që do të japësh këtu do të jepet me ndryshim të fytyrës dhe zërit. Pyetjeve të cilat nuk mund të ta zbulojnë identitetin mund të përgjigjesh në seancë të hapur por kur përshkruan diçka që ka të bëjë veçanërisht me ty dhe rrezikon të të zbulohet identiteti atëherë do të kalojmë në seancë private”.

Sali Mustafa në fillim të seancës e ka kërkuar fjalën por gjyqtarja tha se do të ia jep fjalën më vonë pasi tashmë është bërë një plan paraprak se si do të zhvillohet procesi.