Salah barazon rekordin e legjendës Gerrard në klub

Liverpool mposhti me rezultat solid 2-0 skuadrën e Portos të mërkurën mbrëma, për të fituar të gjitha pesë ndeshjet e para të fazës grupore në Ligën e Kampionëve për sezonin 2021-22.

“Të Kuqtë” triumfuan me golat e Thiago Alcantaras i cili i dha epërsinë fillestare klubit në minutën e 52-të me një goditje teknike të përsosur nga distanca, gjersa epërsinë e dyfishoi sulmuesi Mohamed Salah i cili gjithashtu realizoi një gol të bukur në minutën e 70-të nga një asistim i Henderson.

Me golin e realizuar ndaj Portos, Mohamed Salah tani ka barazuar rekordin e legjendës Steven Gerrard.

 

Salah tani ka realizuar 14 gola në Ligën e Kampionëve për Liverpoolin në Anfield, duke e barazuar rekordin e Steven Gerrard.

Egjiptiani është afër edhe një rekordi tjetër me Liverpoolin, kur ai ka realizuar 31 gola për Liverpoolin në total në Ligën e Kampionëve.

29-vjeçari është gjashtë gola larg thyerjes së rekordit që e mbajnë Sergio Aguero dhe Didier Drogba për lojtarët me më së shumti gola të realizuar në Ligën e Kampionëve për një klub anglez.

 

Ndryshe, Salah ka realizuar 17 gola në 17 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon me “Të Kuqtë”, duke regjistruar edhe shtatë asistime të tjera.