Tapat e shampanjave u hapen disa herë, por jo edhe kufijtë. Qytetarët e Kosovës vazhduan të presin para ambasadave për viza në zonën Schengen edhe 6 vjet të tjera pas urimit të parë për heqjen e vizave.
Zotimet e përsëritura si kasetë e prishur nga viti 2010, kur u premtua se liberalizimi do të bëhet brenda 15 muajve, dëshpëruan qytetarët të cilëve vazhdimisht u shtyhej data kur do të udhëtojnë pa viza.
Ky duket se ishte një mësim për Qeverinë Kurti, e cila që nga ardhja në pushtet u përmbajt në deklarata, duke mos premtuar asnjë datë. Krejt çka dëgjuam nga kryeministri Kurti e presidentja Osmani ishte fakti se edhe Bashkimi Evropian e ka konfirmuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave, raporton KIKS Kosova.
Lajmi i madh e i shumëpritur erdhi më 19 prill të këtij viti, kur përfundimisht, zyrtarisht Parlamenti Evropian në një ceremoni në Strasburg nënshkroi vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Sipas këtij vendimi, qytetarët e Kosovës morën dritën jeshile se nga 1 janari i 2024-ës, do të lëvizin pa viza në zonën Schengen.
Ky po që ishte suksesi më i madh i Kosovës për vitin 2023.
Ani pse, kësaj radhe, gjithçka ishte zyrtarizuar, pak muaj para se liberalizimi i vizave të jetësohej, më 17 tetor të 2023-ës, për pak orë zemrën na e dridhi një deklaratë e presidentit francez, Emmanuel Macron, dhënë në Tiranë.
Gjatë një konference të përbashkët të kryeministrit e Shqipërisë, Edi Rama, Macron u citua të ketë thënë se “Franca e ka pezulluar vendimin për liberalizim të vizave, pasi që Kosova nuk e ka mbajtur premtimin për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë”.
Megjithatë, të gjithë u qetësuan pas një komunikate të Zyrës për Shtyp të Macronit, e cila njoftoi se presidenti francez ishte përkthyer gabimisht.
E tash zyrtarisht: Kosovë, urime liberalizimi i vizave! Por, kur do të bëhet anëtarësimi në Bashkimin Evropian? Deri më tash s’ka dritë në fund të tunelit.




