Milan e nis me këmbë të mbarë vitin 2024, mposht Cagliarin dhe avancon tutje në Kupën e Italisë

Milan e ka nisur me këmbë të mbarë vitin 2024 duke mposhtur Cagliarin me rezultat 4-1 në “San Siro” dhe duke avancuar tutje në Kupën e Italisë.

Mysafirët kërkuan penallti në minutën e tetë, por pas rishikimit në VAR, gjyqtari kryesor sinjalizoi për vazhdimin e ndeshjes.

Milan shënoi dy gola në pjesën e parë përmes Luka Jovic (29’ dhe 42’) dhe në të dy golat asistoi francezi Theo Hernandez.

Me epërsi të dyfishtë të Milanit përfundoi 45 minutëshi i parë i kësaj sfide.

 

Rossonerët shënuan edhe dy gola të tjerë në pjesën e dytë, duke dhuruar ‘show’ për shikuesit.

Ishte talenti nga akademia Chaka Traore (50’) i cili shënoi për 3-0 me një goditje në mesin e portës.

 

E tëra çfarë Cagliari mund të bënte në këtë takim, ishte goli i Paulo Azzit (88’) për rezultatin 3-1.

Teksa ndeshja po shkonte drejt fundit, në listën e realizatorëve u fut edhe Rafael Leao (91’) që shënoi për rezultatin përfundimtar të takimit 4-1.

Në këtë ndeshje Stefano Pioli i ka dhënë mundësinë atyre lojtarëve që kanë pasur më pak minuta në këmbë gjatë këtij sezoni.

Pas kësaj fitoreje, Milani në fazën çerekfinale do të përballet me fituesin e ndeshjes Atalanta – Sassuolo, ndeshje kjo e cila do të zhvillohet nesër (e mërkurë) me fillim nga ora 18:00.