Sa kushton një thes miell? Bekteshi nuk përgjigjet

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot ishte në fabrikën për prodhimin e miellit në Tetovë, shkruan TV21. Ai siguroi që vendi ka rezerva të mjaftueshme ushqimore dhe se Qeveria po merr të gjitha masat për të parandaluar rritjen e çmimeve. I pyetur nga TV21, Bekteshi refuzoi të përgjigjet drejtpërdrejt se sa kushton një thes miell për momentin.

TV21: Ministër, sa kushton një thes miell?

“Nuk është momenti të bëjmë sensacione. Të gjithë e dinë se sa kushton një thes miell, por njëkohësisht edhe në Kuvend zgjidhjet ligjore dhe ato që janë miratuar nga deputetët, edhe ju si gazetarë edhe opinioni i gjerë e di, nëse jo duhet të vizitoni web faqen e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe t’i lexoni pra ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve, qoftë të TVSH-së, qoftë të akcizës. Sa i përket pjesës së naftës dhe derivateve të naftës më vetëm se ka hyrë në funksion, tash në bazë ditore do të ketë ndryshim që çmimit, varësisht nga lëvizja e berzës. Sa i përket ndryshimeve të TVSH-së për produktet ushqimore, ajo do të hyj në fuqi më së voni me 17 të këtij muaji”, tha mes tjerash Bekteshi.

TV21: Ministër 800 denarë është një thes miell. Mbi 800 denarë, a mendoni se është çmim adekuat?

“Siç ju nuk i caktoni çmimet e reklamave në televizionin tuaj, edhe ministria e Ekonomisë nuk është rregullatorë që të krijon politika, dhe me siguri që atë çështje e cakton tregu. Ne bëjmë maksimumin tonë”, deklaroi Bekteshi./TV21