Sa është real kërcënimi i Putinit për armët bërthamore

I frustruar ndoshta nga mungesa e përparimit në luftën e tij kundër Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin ka vënë në gatishmëri armët parandaluese të Rusisë – përfshirë armët e saj bërthamore, shkruan AlJazeera.

Që nga ky provokim, pyetja është bërë edhe më kritike se sa armë bërthamore posedon Rusia dhe nëse këto mund të jenë vërtet një opsion real për Putinin.

“Putini po përdorë arsenalin e tij bërthamor në këtë mënyrë sepse është një instrument që ai e ka, një që është misterioz dhe tmerrues”, ka thënë Dakota Rudesill, profesor në Universitetin e Ohios.

Për më tepër, rezistenca që rusët kanë hasur në Ukrainë deri tash ka luajtur një rol kryesor në vendim, ka thënë ai.

“Putini po arrin në këtë pikë tani sepse lufta me gjasë nuk po shkon aq mirë sa kishte planifikuar. Ai dëshiron ta ndryshojë lojën dhe ta rimarrë iniciativën, dëshiron që kundërshtarët e tij të jenë jashtë ekuilibrit dhe të frikësuar, duke pyetur veten se si mund të përshkallëzohet më tej dhe kundër kujt”, tha ai.

Megjithatë, dikush mund edhe të thotë se deklarata e Putinit ishte disi një gabim strategjik, tha Alexander Lanoszka, asisten profesor në Universitetin e Waterloo.

Rezervat e bëjnë Rusinë fuqinë më të madhe bërthamore në botë, të ndjekur afër nga SHBA-ja. Të dyja bashkë posedojnë rreth 93% të të gjitha armëve bërthamore në botë.

Përveç armëve bërthamore, Rusia ka arsenal masiv të raketave balistike, raketa moderne dhe armë hipersonike. Lanoszka tha se Rusia ruan 14,000 armë bërthamore. Por, jo të gjitha ato mund të jenë të përdorshme menjëherë, kështu që në realitet ka 2400 armë bërthamore strategjike. 1600 armë bërthamore taktike.

SHBA-ja posedon 3750 armë aktive dhe joaktive dhe 150 në disa baza në Evropë.

Pavarësisht retorikës së Putinit një luftë bërthamore mes Rusisë dhe NATO-s mbetet vështirë e realizueshme.