Rutte: Shqetësuese dhuna në veri ndaj civilëve, gazetarëve e misioneve ndërkombëtare

“Jemi të shqetësuar për tensionet në rritje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe dhunën ndaj civilëve, gazetarëve, misioneve të BE-së dhe NATO-s në Kosovë”, tha sot kryeministri holandez Mark Rutte, duke theksuar se të dyja palët duhet të ndërmarrin hapa drejt de-përshkallëzimit dhe më pas normalizimit në dialogun nën patronazhin e BE-së.

“Marrëdhëniet e qëndrueshme janë thelbësore për të dy vendet dhe integrimin e tyre evropian, si dhe sundimin e ligjit, mbrojtjen e pakicave, lirinë e medias dhe luftën kundër dezinformimit”, tha më tej Rurte në një konferencë të përbashkët për shtyp në Beograd me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, raporton “FoNet”.

Ai kujtoi bisedimet intensive gjatë muajit shkurt dhe përfshirjen e Francës dhe Gjermanisë në arritjen e një marrëveshjeje për propozimin evropian dhe aneksin e zbatimit, por gjithashtu theksoi se ka pasur tensione.

“Nuk na takon ne të gjykojmë nëse dikush punon më shumë se tjetri. Ne duhet t’i përmbahemi udhërrëfyesit dhe zbatimit të plotë të saj, dhe kjo ishte një bisedë e dobishme për ne”, tha Rutte, transmeton Klankosova.tv.

“Ne do të vazhdojmë bisedimet, po mundohemi të ndihmojmë, jo të gjykojmë”, theksoi ai dhe përsëriti se zbatimi i plotë i udhërrëfyesit do të çojë në de-përshkallëzimin në mënyrën më të mirë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Rutte deklaroi se të gjitha marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përfshijnë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe theksoi se kjo do të jetë temë e diskutimit nesër në Prishtinë.

“Kjo pyetje është pjesë e një pakete më të gjerë propozimesh dhe kërkon punën e të dyja palëve, por ne mundohemi të jemi sa më neutralë dhe të mos themi – fajin e ka ai apo ajo, sepse kështu nuk i ndihmojmë askujt. A jam optimist se situata aktuale mund të zgjidhet, do t’ju përgjigjem nesër pas vizitës në Kosovë”, tha Rutte.

Sipas tij, vendet e Beneluksit i kushtojnë rëndësi të madhe bashkëpunimit dhe angazhimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe dëshirojnë t’i forcojnë lidhjet si në nivel të BE-së ashtu edhe në atë dypalësh dhe trepalësh.

“Kjo është e një rëndësie të veçantë për rajonin në një kohë kur lufta në Ukrainë është ndezur dhe është më e rëndësishme se kurrë që të veprojmë së bashku”, tha kryeministri holandez.

Bettel: Me rëndësi të arrihet sukses – të kalohet në vepra

Kryeministri i Luksemburgut Xavier Bettel tha sot se është e rëndësishme të qetësohen tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit, duke shtuar se ai dhe kryeministri holandez Mark Rutte do të udhëtojnë nesër në Prishtinë.

Ai tha se ekziston një udhërrëfyes i bërë nga i dërguari i posaçëm Miroslav Lajçak. “Është e rëndësishme të arrihet suksesi, fjalët janë të mira, por veprat janë edhe më të mira”, tha Bettel në një konferencë të përbashkët me Rutten dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Nuk jam këtu për të gjykuar dhe thënë se kush ka marrë pikë negative. Më takon mua të dëgjoj dhe dëshira ime është që në ditët dhe javët në vijim, falë kësaj vizite, të shohim një përparim në de-përshkallëzimin dhe shpresoj të mos flasim për presione”, theksoi Bettel.

“Kemi një udhërrëfyes dhe dy plane të ndryshme dhe duhen veprime nga të dyja palët”, shtoi ai dhe tha se nuk ka tema tabu.

“Duhet t’i hapim të gjitha temat, nuk jam këtu për të thënë fjalë të bukura, por për fakte”, deklaroi kryeministri i Luksemburgut dhe theksoi se ai dhe Rutte nuk janë aty për të zëvendësuar përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrellin apo Miroslav Lajçakun.

Ne jemi këtu, shtoi ai, “për të dëgjuar si miq të Ballkanit, për të qenë të dobishëm dhe për të bërë përparim”.

Ai tha se në Beograd, para takimit me Vuçiqin, kanë pasur takime edhe me media dhe përfaqësues të sektorit civil, teksa Bettel foli folur konkretisht për takimin me përfaqësues të komunitetit LGBTIQ, të cilët i treguan atij për anulimin e Pride-it të fundit në Serbi.

“Ishte e vështirë për ta, edhe pse patën rastin ta festojnë në Beograd. Unë jam homoseksual, jam i martuar me një burrë, e njoh mirë Ana Brnabiqin dhe gruan e saj dhe nuk mund ta kuptoj që është një lajm i keq kur bëjmë foto bashkë. Ky nuk duhet të jetë aspak lajm”, theksoi Bettel.

“Ne folëm edhe me përfaqësues të mediave, liria e të cilëve është shumë e rëndësishme. I besoj Vuçiqit kur thotë se i di cilat janë përgjegjësitë e tij, se beson në miqësinë tonë dhe se ne gjejmë zgjidhje të përbashkëta në interes të Serbisë, rajonit dhe mbarë Evropës”, tha Bettel. /Klankosova.tv