Vuçiq: Masën e fundit për de-përshkallëzim duhet ta zbatojmë njëkohësisht me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha sot se Serbia ka zbatuar dy nga tre masat për de-përshkallëzimin e konfliktit në veri të Kosovës, ndërsa shtoi se dy vendet duhet të zbatojnë njëkohësisht masën e fundit, shkruan agjencia serbe e lajmeve “Beta”.

“Asociacioni i komunave (me shumicë, shën.red.) serbe përfshin jo vetëm katër komuna, por edhe gjashtë të tjera në jug të Ibrit. Marrëveshja e Brukselit nuk u zbatua në pjesën më të rëndësishme, përkatësisht në formimin e AKS-së, e nënshkruar 10 vjet më parë, dhe formimi i AKS-së ishte parakusht që Serbia të përmbushte gjithçka tjetër. Nuk ka shpresë se së shpejti do të shohim formimin e AKS-së”, tha Vuçiqi pas një takimi që zhvilloi me kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut, Mark Rutte respektivisht Xavier Bettel, raporton Klankosova.tv.

Dy kryeministrat evropianë do të qëndrojnë nesër në Prishtinë, ku do të zhvillojnë takime me krerët e shtetit qysh në orët e hershme të mëngjesit. /Klankosova.tv