Rusia po e drejton fokusin e luftës kah “NATO-ja dhe Perëndimi”

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Evropian për Veprim të Jashtëm, Stefano Sannino, ka thënë të premten se Rusia e ka çuar luftën e saj në Ukrainë “në një nivel tjetër”, duke kryer sulme ndaj civilëve dhe shënjestrave joushtarake.

Ai po ashtu e ka kritikuar Moskën për nxitje të vendimeve që kanë marrë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, për të dërguar tanke të avancuara në Ukrainë.

Duke folur në një konferencë në Tokio, Sannino ka thënë se Putin “ka lëvizur nga koncepti i operacionit special në konceptin e luftës kundër NATO-s dhe Perëndimit”.

Ai ka thënë se tanket gjermane dhe amerikane pritet t’iu ndihmojnë ukrainasve që të mbrojnë veten në luftë dhe nuk do t’i kthejnë ata në sulmues.

“Mendoj se zhvillimet e fundit, sa u përket furnizimeve me armë, janë përgjigje ndaj situatës dhe mënyrës se si Rusia e ka çuar luftën në nivel tjetër”, ka thënë Sannino.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë bërë të ditur të mërkurën se do të dërgojë tanke të avancuara në Ukrainë për t’i ndihmuar Kievit që të luftojë forcat ruse.

Komandantët e ushtrisë ukrainase kanë thënë se këto armë do të ndihmojnë në kundërofensiva, dhe do të zvogëlojnë numrin e ushtarëve ukrainas të vrarë në luftë.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se shteti i tij do të dërgojë 31 tanke M1 Abrams, pavarësisht qëndrimeve fillestare të Uashingtonit se ato janë shumë sfiduese që të përdoren nga ushtarët ukrainas.

SHBA-ja e ka bërë të ditur këtë vendim, pasi Gjermania është pajtuar për të dërguar 14 tanke Leopard 2 nga inventari i saj.

Rusia e ka kritikuar vendimin e shteteve perëndimore dhe është zotuar se do t’i shkatërrojë këto tanke në fushëbetejë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.